Barcelona, pranë sigurimit të talentit 16-vjeçar portugez

Futboll

Barcelona, pranë sigurimit të talentit 16-vjeçar portugez

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 16:55
Cardoso Varela

Barcelona ka vendosur të veprojë seriozisht dhe ka hedhur hapa konkretë për të siguruar një nga talentet më të mira të futbollit evropian.

Sipas informacioneve nga ‘Jijantes’, klubi katalanas është pranë nënshkrimit me Cardoso Varela (16 vjeç), një sulmues i ri i skuadrës së Portos.

Lojtari dhe agjenti i tij, Andi Bara, u panë dje në qytet, ku u takuan me Deco-n dhe vizituan strukturat e klubit, përfshirë qendrën stërvitore ‘Ciutat Esportiva de Sant Joan Despí’.

Marrëdhëniet e mira midis ish-mesfushorit portugez dhe agjentit Andi Bara, me të cilin ka bashkëpunuar në transferimet e Dani Olmo-s dhe Mikayil Faye, mund të lehtësojnë operacionin.

Me 16 vjet të mbushura më 29 tetor, Varela do të mund të nënshkruajë kontratën e tij të parë si profesionist me çdo klub duke filluar nga janari i vitit 2025.

Varela ishte bërë objekt diskutimi disa muaj më parë. Ish-agjenti i tij kishte synuar ta regjistronte atë te Dinamo Odranski, një klub kroat i kategorisë së katërt, por FIFA kishte kundërshtuar këtë transferim.

André Villas-Boas, president i Portos, denoncoi këtë manovër të errët, duke deklaruar:

“Në prag të nënshkrimit të kontratës së tij të parë si profesionist, ky djalë u bë viktimë e disa agjentëve që, duke përfituar nga gjendja e vështirë ekonomike e familjes së tij, donin ta detyronin të largohej nga klubi që i garantonte integritet, duke vënë në rrezik të ardhmen e tij sportive dhe zhvillimin e tij si njeri.

Porto i ka siguruar këtij të riu një formim sportiv dhe akademik, mbështetje sociale dhe psikologjike, dhe është gjithmonë në kontakt të drejtpërdrejtë me familjen e tij për të garantuar zhvillimin e tij të gjithanshëm.

Ai ishte pranë nënshkrimit për një klub në një kampionat që përfiton nga ‘boshllëqet’ ligjore dhe rregullative, duke shkelur të drejtat themelore.

Ne mund të kishim zgjedhur zgjidhjen më të lehtë, duke marrë pjesë në një ankand çnjerëzor, ku përfituesit kryesorë do të ishin agjentët që injorojnë aspektin njerëzor të sportit.

Përkundrazi, ne investuam përpjekjet tona në mbrojtjen e këtij të riu, duke përfshirë autoritetet policore dhe gjyqësore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ligji është në anën tonë dhe shpresoj që ky rast të jetë një nga të fundit ku të rinjtë nuk mbrohen nga interesat e errëta".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat