Mbijetesa, katër në vorbull

Futboll

Mbijetesa, katër në vorbull

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 18:20
Foto ilustrim

Lufta për mbijetesë është e ndezur në grupin prej katër skuadrash, por as ato më sipër nuk kanë distancë sigurie. Laçi e Bylis janë skuadrat më të dobëta jashtë, ndërsa Skënderbeu nuk fiton në shtëpi që nga 21 shtatori. Tirana humbet terren për shkak të barazime të shumta.

Përfundimi i gjysmës së kampionatit ka krijuar një grup prej katër skuadrash në zonën e poshtme të renditjes që lufton për mbijetesë në Abissnet Superiore.

Ndryshe nga katërshja e kreut, e shkëputur me tetë pikë nga vendi i pestë dhe e paarritshme nga pjesa tjetër të paktën për disa javë, katërshja e fundit mund të ndryshojë më shpejt, pasi nga Tirana te Teuta dhe Elbasani janë vetëm katër pikë.

Ndërkaq Tirana, që mban vendin e fundit të sigurt, është e arritshme nga secila prej tri skuadrave të tjera në fundi, pasi diferenca me skënderbeun është tri pikë, ndërsa me Bylisin e Laçin është vetëm një, dhe ndeshja e radhës do të jetë pikërisht me bardhezinjtë e Morieros në Laç.

Skënderbeu, që mban vendin e fundit, është skuadra me ecurinë më negative edhe në pesë javët e fundit, gjatë të cilave ka marrë vetëm tri pikë. Tirana ka katër pikë në këto pesë javë, duke u renditur poshtë Teutës, Elbasanit dhe Laçit, që kanë marrë nga një pikë më tepër. Bardheblutë, të cilët do ta nisin fazën e tretë në transfertën e Laçit, janë një nga tri skuadrat pa fitore jashtë, megjithatë kanë marrë gjashtë pikë falë gjashtë barazimeve.

Dy të tjerat janë Bylis e Laçi, me tri barazime në transfertë, por ndërkohë, midis skuadrave të rrezikuara, Laçi e Bylis kanë marrë më tepër pikë në shtëpi, nga 14, po aq sa Partizani, ndërsa Tirana ka 12 dhe Skënderbeu dhjetë. Korçarët, që këtë javë presin Elbasanin, pak mund të marrin zemër nga fakti ë luajnë në shtëpi, pasi në fushën e tyre e kanë harruar fitoren.

Të fundit e kanë arritur më 21 shtator, kundër Laçit, dhe që atëherë kanë dy humbje e tre barazime. Bylis është skuadra që ka pësuar më tepër, 26 gola, ndjekur nga Skënderbeu me 24. Laçi ka pësuar vetëm 16, duke qenë ndërsa skuadrat më të mira të kampionatit në këtë aspekt, pasi vetëm Partizani dhe Egnatia kanë pësuar më pak, 15, por për golat e shënuar është skuadra më e dobët, me 14.

Tirana mbetet kampionia e barazimeve, me 12 të tilla dhe me numrin më të vogël të fitoreve, vetëm dy, çka bën që bardheblutë të humbasin shumë terren me ndjekësit sa herë që një prej këtyre arrin fitore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat