Presidenti i FFK-së, Agim Ademi po qëndron në Doha të Katarit, ku po merr pjesë në dy ngjarje të rëndësishme të futbollit: jubileun e 20-të të themelimit të Akademisë së Zhvillimit të Talenteve “ASPIRE Academy” dhe ceremoninë prestigjioze “The Best FIFA Football Awards 2024”.
Këto dy ngjarje, të organizuara nga Federata e Futbollit të Katarit, përkatësisht FIFA, kanë mbledhur personalitete të rëndësishme të futbollit botëror. ]
Ademi po merr pjesë në këto evente së bashku me presidentin e Federatës Turke të Futbollit, Ibrahim Haciosmanoglu, me të cilin ka një bashkëpunim të shkëlqyer. Federata Turke ka dhënë gjithmonë përkrahje të madhe për FFK-në në të gjitha periudhat dhe kjo mbështetje po vazhdon edhe në kohën e udhëheqjes së presidentit Haciosmanoglu.
Gjithashtu, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, vazhdon ta mbështesë dhe vlerësojë punën e madhe të FFK-së, duke ftuar rregullisht presidentin Agim Ademi në ngjarje të mëdha botërore të futbollit, qoftë në takime zyrtare apo evente prestigjioze si kjo e sotmja.