Futbollistët e Struga Trim Lum, ashtu edhe si pjesa tjetër e skuadrave të Ligës së Parë ndodhen në pushim, ndërsa siç mëson “infOSport.mk”, pjesë e skuadrës kampione për në stinorin pranveror nuk do të jetë portieri, Filip Dujmoviç.
Ky i fundit skuadrës strugane iu bashkua verën e këtij viti, kur erdhi nga rradhët e skuadrës së njohur boshnjake të Zheljezniçar.
I njëjti te Struga Trim Lum erdhi me një përvojë të madhe, mirëpo nuk arriti që të jetë aspak një zëvendësim i denjtë për Vedran Qoshevskin, të cilin drejtuesit strugan e rikthyen më vonë, mirëpo duke u ndëshkuar në garat europiane, aty ku Dujmoviç dështoi, duke mos bindur ata.
Në 4 ndeshje europiane, Dujmoviç pranoi 10 gola, ndërsa në kampionat në 3 ndeshje pranoi 2 gola, edhe atë në një ndeshje të vetme, kundër Rabotniçkit, teksa kishte mbajtur rrjetën e tij të paprekur përballë Tikveshit dhe Besës së Dobërdollit.
Me të përfunduar stinori vjeshtorë, siç mëson “infOSport.mk”, palët janë dakorduar për ndërprerjen e bashkëpunimit, që zgjati vetëm 6 muaj..