Ish - drejtori i Napolit tregon çfarë pengon transferimin e Ismajlit në janar!
Pierpaolo Marino është një nga emrat e njohur të futbollit italian në rang drejtuesish, pasi ka qenë për shumë vite drejtor sportiv në skuadra si Napoli, Atalanta e Udineze gjatë karrierës së tij.
Ai herë pas here, teksa merr pjesë në emisione të ndryshme sportive, tregon edhe lojtarët të cilët i pëlqejnë më shumë dhe këtë radhë, kishte elozhe të veçanta për Ardian Ismajlin. I ftuar në emisionin “Il Bello Del Calcio”, ai është ndalur te zërat që shohin mbrojtësin shqiptar të kalojë te napolitanët, duke shprehur admirimin për të.
“Ismajli? Unë çmendem pas tij. Por problemi është se skuadrat me 20 pikë e poshtë janë të gjithë në luftë për të mos rënë nga kategoria”, tha ai, duke lënë të kuptohej se do të ishte e vështirë për napolitanët që të siguronin firmën e mbrojtësit kuqezi në janar.