Nga Egnatia te Dinamo City

Futboll

Nga Egnatia te Dinamo City

Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 12:48
Tabela

Kampionati “Abissnet Superiore” ka përmbyllur me sukses dy fazat e para, duke sjellë rivalitet dhe surpriza në renditje. Krahasimi i performancës së skuadrave mes sezonit aktual dhe atij të kaluar 2023/2024 nxjerr në pah ndryshimet që kanë ndodhur në renditje.

Në sezonin e kaluar, pas javës së 18-të kryesonte Egnatia me 37 pikë, një ecuri që i hapi rrugën drejt titullit kampion.

Ndërkohë, në sezonin aktual kampionatin e udhëheq Dinamo City me 31 pikë, ndërsa në sezonin e kaluar skuadra e Dinamos mbante vendin e pestë me vetëm 22 pikë. Egnatia, nga vendi i parë një vit më parë, tani renditet në vendin e katërt, por është vetëm një pikë larg kryesimit.

Vllaznia nga ana tjetër ka shfaqur përmirësim të dukshëm. Në sezonin 2023/2024, kuqeblutë kishim grumbulluar 26 pikë, ndërsa këtë sezon janë në vendin e dytë me 31 pikë, po aq sa Dinamo kryesues.

Ndërkohë, Partizani një vit më parë ndodhej në vendin e dytë me 32 pikë. Tani të kuqtë janë në vendin e tretë me 30 pikë, duke treguar një rënie të lehtë, por ndodhen vetëm një pikë larg vendit të parë.

Rënie të dukshme ka shfaqur Tirana. Në sezonin e kaluar bardheblutë ishin në të njëjtën kuotë pikësh me Vllazninë 26, ndërsa aktualisht janë në vendin e shtatë me vetëm 18 pikë.

Në fund të renditjes, Skënderbeu dhe Laçi janë dy skuadrat që kanë pësuar më shumë rënie. Korçarët, të cilët sezonin e kaluar ishin në vendin e gjashtë me 22 pikë, tani mbyllin tabelën me vetëm 15 pikë. Laçi gjithashtu ka katër pikë më pak krahasuar me një vit më parë.

Ky krahasim tregon qartë se sezoni aktual është më i paparashikueshëm. Me vetëm një pikë diferencë mes katër skuadrave të para, çdo rezultat në ndeshjet e ardhshme mund të ndryshojë tërësisht dinamikën e kampionatit.

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat