Flamurtari ndalet në Fier, skandal me ambulancën. Pajaziti: Pikë e pranueshme, por jo “e artë”

Futboll

Flamurtari ndalet në Fier, skandal me ambulancën. Pajaziti: Pikë e pranueshme, por jo “e artë”

Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 13:30
Pamje nga ndeshja

Kryendeshja e javës së 16-të të Kategorisë së Parë mes Apolonisë dhe Flamurtarit e programuar për të dielën në stadiumin “Loni Papuçiu”, u shty me 48 orë për shkak të motit të paqëndrueshëm. Mes dyluftimeve të ashpra, tensionit të lartë, 7 kartonëve të verdhë dhe një të kuqi, sfida e djeshme mes Apolonisë dhe Flamurtarit u mbyll 1-1. 

Skuadrat dhuruan spektakël dhe emocione të forta, por pa fitues. Fierakët kaluan në avantazh me Maksutin në të 29-ën, ndërsa vlonjatët barazuan në të 79-ën me Selimin. Ekipet ndanë pikët dhe barazimi më shumë u ka prishur punë të dy ekipeve, me Flamurtarin të tretin që largohet me 4 pikë nga Vora dhe me Apoloninë që nuk del nga zona “e ftohtë”.

Vonesa- Ndeshja nisi me 24 minuta vonesë, shkak u bë parregullsia me autoambulancën. Në fakt në stadium ishte një autoambulancë, por pas kontrollit nga delegati, u konstatua se mjeti nuk kishte pajisjet e duhura. Duhej të vinte një tjetër autoambullancë, e cila kishte gjithçka dhe loja rinisi pas 24 minutash vonesë.

Pjesa e parë- Takimi nisi i qetë dhe i ekuilibruar për disa minuta. Me kalimin e kohës, miqtë ishin më kërkues dhe krijojnë epërsi me lojë e raste. Në minutën e 8-të godet Oshafi, pret portieri Kaçaj. Në të 14-ën, Beqaj gjuan fluturimthi, por diagonalja e tij kalon ngjitur me shtyllën. Fierakët bëhen konkretë në minutën e 20-të. Bejzade depërton bukur dhe pason për Trifonin, i cili driblon Atandën, godet fort me të majtën, por portieri Kaloshi bën heroin duke e larguar topin. 9 minuta më vonë, Apolonia shënon dhe kalon në avantazh.

Aksion i rrjedhshëm që nis nga këmbët e Umejiegos, vazhdon në krahun tjetër te Trifoni, që gjen të lirë brenda në zonë Maksutin, i cili finalizon dhe 1-0. Flamurtari vihet menjëherë në kërkim të golit të barazimit, Por në dy momente është portieri Kaçaj që u mohon baraspeshën, duke grushtuar goditjen me kokë të Oshafit dhe më pas të Ememes. Fierakët mund të dyfishonin në minutën e dytë shtesë, ku Maksuti depërtoi bukur nga e majta dhe pason për Umejiegon, por nigeriani goditi fort dhe portieri Kaloshi largon topin me këmbë. Në shifrat 1-0 u mbyll pjesa e parë.

Pjesa e dytë- Pas pushimit, Flamurtari është më i përkushtuar dhe thekson dominimin, ndërsa fierakët mbyllen prapa, ndonëse trajneri kërkon qasje tjetër në fushë. Në të 49-ën, vlonjatët janë pranë golit të barazimit. Beqja kroson nga e djathta për Oshafin, por portieri Kaçaj reagon bukur. Më pas vjen një gjuajtje e Muratajt mbi traversë. Miqtë krijojnë dhe rrisin rrezikshmërinë, por goli mungon. Minuta 60, Ememe depërton brenda zonës dhe arrin të godasë topin, por grushton Kaçaj. Pesë minuta më vonë, një tjetër rast i pastër për miqtë. Pas krosimit të Hasës, Oshafi godet me kokë në zhytje e sipër, por Kaçaj fluturon në cepin e portës.

Kur “bunkeri” i Apolonisë u duk se e bëri punën e vet, vjen goli i barazimit në minutën e 79-të, me autor Trimëror Selimin. Nga e majta, Trashi lëshon topin përpara dhe e dërgon me një trajektore të lartë për Selimin. Sulmuesi shtatshkurtër godet tokazi dhe shënon, 1-1. Loja u rihap. Në minutën e dytë shtesë, Flamurtari pretendon për penallti. Sulmuesi Oshafi depërton bukur nga e majta dhe harkon lehtë në shtyllën e parë me topin që përfundon në dorën e Hebejës. Për kryesorin Lata nuk ka asgjë, pasi dora është në pozicion natyral. Minutat e mbetura nuk sjellin ndryshim dhe sfida mbyllet në barazim 1-1 dhe ekipet ndanë pikët. Një barazim që u ka prishur punë të dyjave, me Flamurtarin që frenohet në vend të tretë me 36 pikë, ndërsa Apolonia që nuk ia del të dalë nga zona “e ftohtë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat