Këtë mesjavë Manchester City është pushim pas eliminimit dy muaj më parë nga Carabao Cup, duke i dhënë mundësi skuadrës kampione në Angli të ketë më shumë kohë për të rikuperuar dhe reflektuar. Mesfushori Phil Foden u përpoq të hedhë sadopak dritë mbi këtë situatë.
“Nuk mund të vë gishtin mbi atë që po ndodh. Mendoj se performance ndaj Manchester United ishte më se e mirë për të marrë rezultatin pozitiv, por ne dolëm pa pikë dhe duket se është e njëjta histori për momentin. Thjesht duhet të qëndrojmë së bashku për ta kaluar krizën”, tha Foden.
“Dhoma e zhveshjes padyshim që është e trishtuar për momentin, por ne nuk mund të ndalemi shumë në këtë, duhet të përpiqemi të rikthehemi. Në futboll ka gjithmonë një mundësi tjetër për ta bërë që gjërat të kthehen në rrugën e duhur”, shtoi mesfushori anglez i Manchester City.
“E ardhmja ka të bëjë me mbajtjen e mentalitetit tonë të fortë gjatë gjithë 90 minutave dhe ne nuk po e bëjmë këtë për momentin. Në ndeshjën e radhës ndaj Aston Villa duhet të tregojmë karakter dhe të tregojmë sesa vlejmë. Nuk është koha për rënkime, por të ecim përsëri. Jam i sigurt se do të kthehemi”, tha Foden.