Vangjel Zguro ishte një nga afrimet e verës te Partizani për krahun e majtë të mbrojtjes, por një pezullim pas derbit të fazës së parë me Tiranën, ndërpreu kontributin e tij në ekipin e parë.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, 31- vjeçari zgjedh të rrëfejë të vërtetën e tij rreth gjithë asaj çfarë ndodhi dhe që në fund u finalizua me largimin nga Partizani.
Ai shprehet se vendimi ka qenë 100% i trajnerit Veselinoviç, për të cilin hedh dyshime edhe mbi aftësinë e tij për të qenë trajner në një klub si Partizani.
Pritshmëritë e firmës me Partizanin- Erdha te Partizani si kampion i Maqedonisë së Veriut me skuadrën e Strugës dhe isha koshient se kisha kaluar në një tjetër ekip, që pretendon titullin në sezonin e ri. Erdha me shumë dëshirë, edhe pse kisha oferta të tjera më të mira financiarisht.
Kam pasur propozim me vlerë më të madhe monetare nga klubi i Gostivarit. Ky klub më ka dhënë vlerë më të madhe se Partizani sa i përket financave, por dëshira ime ishte të bëhesha pjesë e ekipit të kuq. E pranova me shumë dëshirë dhe iu bashkova ekipit në fazën përgatitore në Pogradec gjatë verës.
Bashkëpunimi me trajnerin Shehi- Gëzoj respekt shumë të madh për profesor Orges Shehin. I uroj shumë suksese tek ekipi i Ballkanit, ku është emëruar së fundmi! E falënderoj për mundësinë që më dha për të qenë pjesë e Partizanit dhe besoj se edhe unë kam bërë maksimumin për sa kohë ai ishte në krye të Partizanit.
Marrëdhëniet me trajnerin e ri Veselinoviç- Kur ka ardhur trajneri Veselinoviç, siç ka komunikuar me shumicën e lojtarëve, ka folur edhe me mua në fillim. Më është dukur shumë pozitiv në një përshtypje të parë. Por unë bëj një ndeshje në fushën e Laçit, ku luaj për 90 minuta. Për mendimin tim, kam bërë paraqitje pozitive, por këtë ndoshta e di stafi më mirë, sepse kjo është puna e tyre. Unë isha pjesë e një ekipi të Superiores, që pretendon për kampion dhe mendoja se kisha të bëja me një staf profesionist.
Pas Laçit kishim derbin dhe përgjatë javës kuptoj se në atë ndeshje isha në stol. Trajneri në momentin që ka ardhur, na ka thënë të gjithëve se gjithsecili që ka diçka, mund të më pyesë për çdo gjë. Nisur nga kjo deklaratë e tij, si çdo futbollist tjetër, i kam bërë një pyetje profesionale: “Mund ta di përse nuk jam në formacion? A kam gabuar diçka në ndeshjen e kaluar? Ku mund të përmirësohem dhe çfarë duhet të bëj që të mësoj dhe të eci përpara?” Nuk kam pasur asgjë me të keq, thjesht pyetje profesionale. Përgjigja e tij ishte e shkurtër: “Është zgjedhje e imja”.
Pas kësaj e kam falënderuar për shpjegimin dhe jam larguar në qetësi. Vijojmë normalisht punën dhe vjen derbi, ku unë e nis nga stoli. Në pjesën e parë dëmtohet Buxhelaj, për të cilin kam respekt. Është djalë shumë i mirë dhe futbollist mjaft cilësor. Futem unë në ndeshje, pa nxehje, sepse ishte e papritur. U mundova të jap maksimumin tim. Mendoj se ka qenë një ndeshje e dobët e imja dhe e ekipit atë ditë. Siç e keni parë, u mbyll me një barazim pa gola.
Të nesërmen futemi në video-analizë. Mesa duket trajnerit do t’i ketë ngelur hatri që i kam bërë atë pyetje para derbit dhe “u kap” në video-analizë. Kishte përgatitur gjashtë video të miat radhazi, me argumentime se përse nuk je këtu, por je aty. Ky është rast tipik kur një trajner kërkon të kapet me një lojtar. Unë nuk kam folur fare, ai insistonte dhe me ton jo të ulur thoshte: “Hej Zguro, mu përgjigj”. Kur e pashë veten të sulmuar, i jam përgjigjur tekstualisht:
“Trajner, ke diçka personale me mua?” Kjo është shumë e konfirmueshme, sepse kanë qenë 25 veta në dhomë. Mesa duket ai mezi ka pritur të them diçka dhe direkt pas kësaj pyetjeje timen, i ka komunikuar klubit se nuk e dua këtë lloj personi, sepse ishte ndjerë keq nga pyetja që bëra në video-analizë. Ishte diçka nga hiçi, që nuk arrita ta kuptoj.
Kam 12 vite në futbollin profesionist dhe nuk mund të vijë një trajner amator nga ligat e ulëta serbe, të më mbyllë mua karrierën. Vjet i papunë, parvjet ishte në ligën e dytë arabe dhe në 11 ndeshje ka pësuar 8 humbje dhe ka marrë 1 fitore. Nuk mund të vijë një trajner amator që të na ndërpresë futbollin, për të cilin kemi një jetë që derdhim djersë dhe gjak.
Kam sakrifikuar çdo gjë për futbollin. Nuk jemi më në kohën e komunizmit, që nëse bëjmë një pyetje profesionale, trajneri të na ndëshkojë dhe gjasme tu tregojë 25 të tjerëve që shiko se çfarë bëj unë. Ose e bën për qokat e veta a nuk e di, këto janë punët e tyre. Unë dua të them se nga trajneri më është bërë një diskriminim i madh.
Gjatë periudhës që ishit i pezulluar, keni tentuar të flisni dhe ndoshta të gjeni gjuhën për tu kthyer në ekip? Kam tentuar të komunikoj disa herë me trajnerin, por ka qenë e pamundur dhe ka vijuar të bëjë diktatorin. Është e habitshme sesi një trajner profesionist, mund të kthehet në amator dhe diktator në një hark kaq të shkurtër kohor. Kam folur me drejtorin Abilaliaj. Trajneri nuk donte, sillej sikur unë e kisha vrarë, jo se i kisha bërë një pyetje. Mua kjo nuk më ka ndodhur kurrë gjatë karrierës. Nëse unë do të isha kaq negativ, kam bërë dy muaj stërvitje tek Partizani B.
Është trajneri Kalari dhe gjithë ekipi dëshmitarë që pavarësisht se isha shumë i mërzitur, kam gjetur forcën të stërvitem çdo ditë me ekipin B me përulësinë më të madhe. Nuk kam bërë një problem të vetëm. Kur unë qenkam kaq negativ, si mundet të ndodhë kjo? Edhe vetë trajneri (Kalari) ia ka thënë çunave që shikoni çfarë shembulli keni përpara, ku e gjen forcën. Dua të falënderoj shumë ekipin B, janë çuna të mrekullueshëm dhe ishim shumë të lidhur. Kam gjetur shokë shumë të mirë edhe tek ekipi i parë. Do të përmendja Hoxhën, Kekon, Osmanllarin, Mba, Sembene, Shanajn, Qirkon, etj. U uroj shumë suksese atyre dhe gjithë ekipit të Partizanit!
“Pengu” pas largimit nga Partizani- Mua më vjen shumë keq që një klub aq i madh të përfundojë me një trajner amator dhe nuk e di sesi mund t’i lihet dorë aq e madhe një trajneri, që të prishë diçka është krijuar me mund nga dikush tjetër. Vjen një trajner dhe bën çfarë i do qejfi për 10 ditë. Këtë nuk e kisha parë në asnjë klub. Megjithatë, ata i dinë mirë punët e tyre. Koha do të tregojë gjithçka. Dua të shtoj edhe diçka. Disa nga çunat i kanë shkuar trajnerit dhe i kanë kërkuar të rikthehem në ekip.
Trajneri i është përgjigjur çunave që bravo ju qoftë që vini për shokun tuaj. Nga ana tjetër, menjëherë ka kapur drejtorin dhe i ka kërkuar të më largojë edhe nga ekipi B. Unë nga ana tjetër nuk i kisha folur fare, as kisha bërë asnjë reagim. Lojërat në fushë e tregojnë se çfarë trajneri ka Partizani dhe taktikat e tij të mëdha. Është një trajner që thotë jam 50 vjeç dhe kam 40 vite në sport. Nuk e kuptoj sesi ndodh kjo. A thua se ne nuk luajmë futboll dhe Partizani është ndonjë klub i ligës së dytë. Punon në një klub 17 herë kampion, ndërsa ai nuk ka dalë kurrë kampion./