Carlo Ancelotti mund të bëhet sonte trajneri më i suksesshëm në histori të Real Madridit.
Trajneri italian i ka fituar 14 trofe me “Los Blancos” dhe mund ta arrijë sonte shifrën 15 nëse e mposht ekipin Pachuca në finale të Kupës Interkontinentale.
Gjithçka kishte nisur më 16 prill 2014, në stadiumin “Mestalla”, kur një gol i Bale ia kishte siguruar trofeun e Copa del Rey në duel me Barcelonën.
Më pas kishin arritur dy tituj të kampionit në La Liga (2022 e 2024), një Kupë e Spanjës (2023), dy Superkupa të Spanjës (2022 e 2024) dhe mbi të gjitha tri Liga të Kampionëve (2014, 2022 e 2024), pastaj tri Superkupa të Evropës (2014, 2022 e 2024) dhe dy Botërorë të klubeve (2014 e 2022).
Nëse fitojnë sonte “Los Blancos”, “Don Carlo” do ta kalonte Miguel Munozin, i cili i kishte fituar 14 trofe me Realin, aq sa aktualisht i ka edhe ish-trajneri i Juventusit, Milanit, Chelseat, Paris Saint-Germainit, Bayern Munichut, Evertonit e Napolit.
Është diçka e rëndësishme. Ta arrij këtë sukses është një shenjë që kam bërë punë të mirë këtu, mendoj se ia kam dalë. Por, dua të vazhdoj. Është një nder të krahasohem me Miguel Munoz dhe me trajnerët tjerë që e kanë pasur fatin ta udhëheqin klubin më të madh në botë”, deklaroi Ancelotti derisa u zgjodh mbrëmë trajneri më i mirë i vitit 2024.
Trajneri italian e ka drejtuar ekipin e Realit nga bankina plot 315 herë, që nënkupton se e ka fituar nga një trofe çdo 21 ndeshje.
Një numër që e ngrit Ancelottin në olimpin e trajnerëve, duke e pasur parasysh se përpara tij gjendet vetëm i paarritshmi Munoz, me 605 ndeshje në krye të “Los Blancos”.
“Medalja e bronztë”, sa u përket trofeve i takon Zinedine Zidanet, me 11 sosh në 263 ndeshje në bankinën e Realit.
Përqindja e fitoreve të Ancelottit është e treta më e mirë tek Realit (71,43% nëse fiton edhe sonte), ndërsa përpara tij gjenden Manuel Pellegrini (75%, por me më pak ndeshje) dhe Jose Mourinho (71,91%).
Trajnerët më të trofeshëm në histori të Real Madridit:
Miguel Munoz 14 trofe
Carlo Ancelotti 14
Zinedine Zidane 11
Luis Molowny 8
Vicente del Bosque 7
Leo Beenhakker 6
José Villalonga 6
Juanito Carcer 5
Paco Bru 4
José Mourinho 3