Ka përfunduar ndeshja në Shijak mes Erzenit dhe Pogradecit. Skuadra e Ard Memës ia ka dalë të triumfojë 2-1 ndaj vendasve.
Golat e Alidemaj në minutën e 8-të dhe 15-të bënë diferencën në këtë përballje, duke u dhënë miqve 3 pikë të rëndësishme. Erzeni në minutën e 23-të mbeti me 10 lojtari, pasi Ergi Brahja doli me të kuq.
Sikur të mos mjaftonte vetëm kaq, pasi edhe Akibu u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 28-të, duke lënë shijakasit me 9 lojtarë. Pavarësisht se në disavantazh, shijakasit arrijnë të gjejnë golin. Në minutën e 43-të Bespallov ndëshkon pogradecarët dhe rihap sfidën, duke çuar shifrat 1-2.
Pa shumë histori ishin 45 minutat e dyta të kësaj përballje, ku pavarësisht rasteve të krijuara ekipet nuk kanë mundur të shënojnë gola të tjerë. Në këtë mënyrë 90-të minutat e këtij dueli janë mbyllur me fitoren e Pogradecit.
Pogradecarët kështu sigurojnë një 3 pikësh shumë të rëndësishëm për “Play-Off”, teksa ngjiten në vendin e 6-të me 22 pikë, duke zbritur nga ky pozicion skuadrën e Lushnjes.
Ndërkohë nga krahu tjetër Erzeni vazhdon të mos arrijë te fitorja në këtë sezon, teksa merr një tjetër humbje. Shijakasit mbyllin klasifikimin me vetëm 4 pikë pas 16 javësh kampionat.