Vllaznia e mbyll vitin 2024 me një ndeshje shumë të vështirë në transfertë. Shkodranët udhëtojnë për të sfiduar me Partizanin, ku me një mori mungesash do të përpiqen të vjelin një rezultat pozitiv në kryeqytet.
Por patjetër doza e vështirësisë së ndeshjes shtohet duke parë se përballë është Partizani.
Dhe po ashtu statistikat e ndeshjeve të fundit në Tiranë nuk janë edhe aq “dashamirëse” për shkodranët. Kështu, në 5 ndeshjet e fundit e zhvilluara në kryeqytet, Partizani numëron 3 fitore kundër Vllaznisë.
Duke nisur nga fitorja e sezonit të shkuar në shifrat e thella 4-1 ndaj kuqebluve. Po ashtu në sezonin 2022-2023, Partizani triumfonte 2-1 ndaj Vllaznisë në javën e 34- ët. Gjithashtu në të njëjtin sezon, “demat” fitonin 1-0 ndaj kuqebluve në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
Në këtë periudhë në ndeshjet në Tiranë ka një barazim 0-0 mes dy skuadrave në edicionin 2023- 2024. Vllaznia triumfin e fundit në kryeqytet kundër Partizanit e ka pikërisht në javën e parë të sezonit aktual, ku gjithçka e vendoste me golin e tij Alivoda për 0-1.