Shqipëria do të përballet me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën në kualifikueset e Botërorit 2026.
Ish-sulmuesi i Kombëtares, Altin Rraklli, në një intervistë eksluzive për Sport News në News 24, bëri analizën e tij për shortin. Në bisedën me Trevisa Tufën, Rraklli pranoi shkallën e vështirësisë për sfidat ndaj Anglisë dhe Serbisë, por u shpreh optimist për mundësitë tona që të shkojmë në Botëror.
“Nuk kemi fat me goglat”, u shpreh Duka. A ishte ky shorti më i vështirë i mundshëm? Ti kë do doje të shmangie, Anglinë apo Serbinë?
Të dyja(qesh). Në fakt, si Anglia dhe Serbia janë rival të fortë. Nëse do kishim më shumë fat, mund të na binin ekipe më të lehta. Nuk jemi të kënaqur me shortin.
Rraklli, jeni i vetmi lojtar që i keni shënuar Anglisë, jo një por 2 gola, por njëri fatkeqësisht, në mënyrë të padrejtë u anulua. A e kujtoni shpesh atë ndeshje të 28 marsit të 2001?
T’i shënosh Anglisë është diçka që nuk e bën shpesh. Duhet falenderuar Bushi për asistin që më dha. Një asist më ka dhënë në jetën e vet dhe atë ma dha me dorë. Pishmani më i madh atë ditë ishte anulimi i golit të dytë, ishte gol i rregullt. Jam i sigurt se do kishim marrë një pikë atë ditë.
Vetëm ju dhe Demollari keni arritur t’i shënoni Anglisë, por padrejtësisht edhe Demollarit iu anulua. Sot që flasim pas 24 vitesh, a është e prekshme Anglia? A mund t’i marrim ndonjë pikë, apo ëndrra janë..
I ka bërë një supergol atë ditë. Kemi patur një ekip të madh me individ të jashtëzakonshëm. Kishim ndjesinë e inferioritetit kur luanin ndaj ekipeve të mëdha, brezi i sotëm nuk e ka. A është e mundshme Anglia?
Përderisa ka qenë në atë kohë, është edhe sot. Ne e kemi të freskët ndeshjen e fundit të Anglisë me Greqinë. Edhe Greqia nuk është se po shquhet këto vitet e fundit për një skuadër të fortë. Nëse Anglia e nënvlerëson ekipin kundërshtar, nuk është në ditët e veta më të mira, ka papërqëndrim dhe ti ke më të mirët në lojë, i vendos mirë në fushë, mos të duket e pamundur që t’i marrë ndonjë 3 pikësh Anglisë.
Rraklli, nuk besoj se e kemi sfidën me Anglinë, por me Serbinë mund të konkurrojmë. Si e sheh sot këtë përballje pas 10 vitesh? A mund të sjellë sërish tensione?
Nuk besoj që do ketë tensione. Vërshëllima dihet që do ketë. Nuk e di përse ai popull është aq agresiv ndaj nesh. Ne treguam mikpritjen tonë, vjetërsinë tonë si popull, e treguam në ndeshjen e kthimit në Elbasan, që nuk u hodh një fije floku në fushë.
Ne i presim turistat e të gjithë. Nuk e kuptoj agresivitetin e tyre. Diçka e tillë i kalon limitet e futbollit dhe që është e paimagjinueshme dhe e paperceptueshme. Ne duhet ta lëmë pas këtë, ndeshja zgjidhet në fushën e lojës.
Presioni, historia, ajo që përfaqëson kjo ndeshje, mbi të gjitha për shqiptarët e Kosovës, si do të ndikojë në fushë?
Ana emocionale për lojtarët që vijnë nga Kosova mban një peshë të madhe. Ata janpin edhe përqindjen e fundit që në një ndeshje tjetër nuk do e jepnin. Nga ana e motivimit, kjo ndeshje nuk ka nevojë për fjalë, të gjithë do të jenë të motivuar. Lojtarët e sotëm, e pamë edhe në ndeshjen e fundti që bëmë në Serbi, ato 20 minuta për sa u luajt futboll, treguam burrëri shqiptari. Nuk treguam asnjë lloj frike. Çdo gjë do vendoset nga ana taktike.
A vendos sfida dyshe me Serbinë, vendin e dytë, pjesëmarrjen në “play-off”, apo i druhesh edhe dy ekipeve të tjera Letonisë dhe Andorrës?
Ne historikun nuk e kemi mirë me Andorrën. Janë dy skuadra, futbolli i sotëm është balancuar shumë, futbolli është bërë më i hapur, tani të gjithë dijnë të luajnë futboll. Ne po i marrim të mirëqënë që i fitojmë ndeshjet me këto rival, ashtu siç i konsideron të fituara edhe Anglia e Serbia, me këta rivalë.
Të shqetëson paraqitja e fundit në Ligën e Kombeve, mendon se kemi nxjerr ndonjë mësim?
Nëse vazhdojmë të luajmë me të njëjtit emra, unë nuk merrem me emra të veçantë. Për disa pozicione, ka ardhur koha që të kemi lojtarë me efikasë në ofensivë. Ekipi rival kur sheh një kundërshtar të frikshëm, dihet që do mblidhet mirë. Na duhet pak më shumë guxim, t’i sulmojmë në Angli dhe Serbi.
Rraklli beson realisht te kualifikimi, apo mjafton vetëm prezenca në play-off?
Nëse arrijmë në Play Off, për mua zëre se është kualifikim. Të lësh Serbinë mbrapa, nuk është gjë e vogël. Vitet e fundit nuk kanë qenë në nivelin e duhur, por ka shumë elementë. Shpresoj që Anglia të mos i marri seriozisht ndeshjet e para.