Filloi kursi i parë për trajnere – Licenca C për femra

Futboll

Filloi kursi i parë për trajnere – Licenca C për femra

Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 20:22
Pamje

Departamenti i Edukimit në Federatën e Futbollit të Kosovës ka nisur sot kursin e parë rezidencial për trajnere – Licenca C për femra, një projekt ky i veçantë, i cili mbështetet nga FIFA. Ky kurs ka për qëllim të fuqizojë vajzat dhe gratë në rolin e trajnereve dhe të nxisë punën e tyre me grupmoshat e reja. Në këtë kurs marrin pjesë 30 kandidate, të cilat do të ndjekin ligjëratat teorike dhe praktike në dy faza. E para është nga 18 deri më 22 dhjetor, derisa faza e dytë nga 10 deri më 14 shkurt.

Kursi është i dizajnuar për trajneret femra të cilët nuk kanë marrë deri më tani licencë për trajnere nga ndonjë federatë por që kanë përfunduar kursin bazik të femrave Grassroots Leaders Coaching Course në FFK, por edhe për futbollistet që janë në përfundim të karrierës së tyre aktive.

Sanije Krasniqi, shefe e Departamentit të Edukimit, theksoi rëndësinë e këtij kursi dhe ndikimin që ai pritet të ketë tek pjesëmarrëset. Sipas saj ky kurs është një hap i rëndësishëm për krijimin e kuadrove të reja të trajnereve. Ajo tha se synimi i FFK-së është që të inkurajojë sa më shumë vajza dhe gra të përfshihen në këtë profesion.

Ndërkohë, pjesëmarrëset e këtij kursi u shprehën mirënjohëse për këtë mundësi dhe vlerësuan përkushtimin e FFK-së dhe mbështetjen nga FIFA për fuqizimin e tyre në fushën e futbollit.

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat