Qeveria i kalon pronësinë e stadiumit “Selman Stërmasi”, Korporatës së Investimeve Shqiptare, me idenë për t’u zhvilluar sipas një modeli në bashkëpunim me privatin.
Pamje nga lart e stadiumit “Selman Stërmasi” pak vite më parë
Institucionet publike, të cilat lidhin marrëveshjen e bashkëpunimit me Korporatën e Investimeve Shqiptare janë Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Bashkia Tiranë, Federata Shqiptare e Futbollit, si dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
Në këtë vendim është i paqartë pozicioni i klubit Tirana, i cili prej vitesh administron stadiumin dhe tashmë duket sikur është mënjanuar. Gjithsesi, nga ajo që kuptohet në vendimin e marrë, KF Tirana mund të hyjë në partneritet privat me konkurrim. Klubi bardheblu, me president Refik Halilin, ka një kontratë përdorimi dhe bashkëpunimi me Bashkinë Tiranë, ndërsa mësohet se i mbeten edhe katër vite nga marrëveshja.
JA VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE
1. Transferimin në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, me NIPT: M01917011D të pronave shtetërore, sipas shtojcës nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për realizimin e projektit të investimit “Rrjetëzimi i stadiumit ‘Selman Stërmasi’, Tiranë”.
2. Autorizohet shoqëria aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, për të vepruar si zhvillues i pronave të përcaktuara në shtojcat nr. 1 dhe nr. 2, sipas këtij vendimi, dhe autorizimit të dhënë nga Këshilli Bashkiak Tiranë, nëpërmjet vendimeve nr. 95, datë 9.9.2024 dhe nr. 112, datë 8.10.2024, në funksion të realizimit të projektit të investimit, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i cili ka si qëllim, ndër të tjera, përmbushjen e interesit publik.
3. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucionet e përcaktuara në shtojcën nr. 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, apo autoritetet e autorizuara prej tyre që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, autoritetit në pronësi apo në përgjegjësi administrimi të të cilit regjistrohet prona e re shtetërore.
4. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për hapjen e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, sipas rregullave të përcaktuara në vendimin nr. 137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, për zhvillimin e pronës nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes.
5. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për negocimin me subjekte private, me qëllim lidhjen e kontratës përkatëse për zhvillimin e pronave të transferuara në pronësi apo për të cilat ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit.
6. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, vetë apo nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë veprimet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike, kompetente për planifikimin e zhvillimin e territorit, apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit të projektit të investimit, si dhe të sigurojë regjistrimin në emër të Republikës së Shqipërisë/Bashkisë së Tiranës/Korporatës, sipas parashikimeve të marrëveshjes së bashkëpunimit, të pronës së re shtetërore që do të krijohet në kuadër të projekteve të investimit.
7. Në funksion të zhvillimit të pronave të përcaktuara në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar me prishjen e objekteve, pjesë e pronave të përcaktuara në shtojcat nr. 1 dhe nr. 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
8. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Bashkia Tiranë, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.