Fonseca nuk është dëgjuar për disa blerje

Futboll

Fonseca nuk është dëgjuar për disa blerje

Më: 19 dhjetor 2024 Në ora: 12:21
Fonseca

Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Fabio Capello analizoi momentin delikat që po kalon Milani, duke shprehur mendimet e tij mbi zgjedhjet e merkatos verore dhe rolin e trajnerit Paulo Fonseca në këto vendime:

“Para se të pyesim nëse merkatoja ishte ose jo e qëlluar, duhet të bëjmë dy pyetje: Kush i mori vendimet? Dhe mbi të gjitha, a janë bërë zgjedhjet në përputhje me kërkesat e Paulo Fonseca, trajnerit? Vetëm duke ditur këto përgjigje mund ta kuptojmë më mirë situatën.

Impresioni im është se për disa blerje, por edhe për disa largime, nuk janë bërë vlerësime të matura nga pikëpamja sportive, aq më pak janë marrë parasysh nevojat e trajnerit portugez. Kur them ‘vlerësime të matura sportive’, më kujtohet gjithmonë Ariedo Braida, një drejtues me kompetencë të jashtëzakonshme.

Braida ishte i aftë jo vetëm të vlerësonte nivelin e një lojtari, por edhe të kuptonte nëse ai ishte i përshtatshëm për të luajtur te Milani. Kujtoj gjithmonë fjalët e tij: Ky lojtar është i mirë, por a vlen për ‘San Siro’? Nuk është si të luash diku tjetër; ka një peshë specifike të ndryshme”.

Për blerjet e verës: “Për shembull, Emerson Royal nuk më duket i përshtatshëm për Milanin. Nuk është një blerje që do ta bëja, sepse nuk përmirëson zonën ku tashmë kishe Calabria, të riun Jimenez dhe Kalulu, i cili do të ishte i dobishëm edhe si qendërmbrojtës. Edhe unë mendoj se duhej një mbrojtës i djathtë, por nëse e blen, duhet të jetë një lojtar që e ngre nivelin. Me brazilianin kjo nuk ndodhi”.

Për Pavlovic dhe sulmin: “Edhe për Pavlovic kam dyshime, megjithëse për serbin do të jem më i kujdesshëm. Ai është ende i ri dhe nuk e kemi parë shumë. Sidoqoftë, edhe këtu pyes: a ishte kjo një blerje kaq e nevojshme? Dhe pse nuk u mbajt Kalulu, i cili tashmë e njihte ambientin dhe po bën mirë te Juventusi?

‘Pjata’ kryesore e merkatos duhej të ishte sulmuesi, sidomos pasi Giroud u largua. Mbërritën Morata dhe Abraham, por tifozët e Milanit pyesin pse klubi nuk mori një goleador të vërtetë, një që shënon 20 gola.

Pyetja që duhet bërë është: cilin mund të blije me të njëjtin buxhet? Unë nuk shoh goleadorë të besueshëm dhe të arritshëm në treg. Morata, për mendimin tim, është një lojtar i kompletuar, një lider, nuk besoj se Milani mund të gjente diçka më të mirë. Ndërsa Abraham si alternativë nga stoli është më se i pranueshëm”.

Analiza e Capello-s përforcon idenë se zgjedhjet e merkatos së Milanit nuk kanë qenë gjithmonë në harmoni me kërkesat dhe nevojat e skuadrës apo trajnerit, duke vënë në dyshim menaxhimin e projektit sportiv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat