Tirana u mposht nga Dinamo në derbi, ku “Blutë” e Ilir Dajës triumfuan në “Elbasan Arena” me shifrat 2-1.
Një triumf shumë i rëndësishëm nga dinamovitët që rikthehen te 3 pikët në derbi pas disa vitesh.
Nëse Dinamo feston këtë triumf, nga krahu tjetër Tirana del e “sakatuar”. Bardheblutë në këtë sfidë përveç se dolën të humbur, tashmë kanë humbur edhe lojtarë të rëndësishëm për sfidën e ardhshme.
Gledi Mici u ndëshkua me karton ndaj Dinamos dhe në këto kushte në sfidën e ardhshme me Laçin nuk do të jetë i gatshëm për Gugash Maganin. Mici nuk është i vetmi që do të mungojë, pasi Ermal Meta ka mbyllur para kohe këtë vit për shkak dëmtimi.
Po për arsye shëndetësore do të mungojë edhe Ëalid Jarmouni, i cili ka udhëtuar drejt Francës për të bërë një ndërhyrje në sy. Ndërkohë do të mungojë edhe Floart Jonuzi, i cili ka një problem me shpatullën.
Trajneri peqinas duhet të bëjë gati planin B për duelin me kurbinasit. Takim që do të luhet ditën e shtunë në orën 13:30 në Laç. Përballje që është e vlefshme për javën e 19-të të Superiores.