Kilië Mbape zbarkoi në Madrid me një objektiv të madh, të fitonte trofe ndërkombëtarë.
Ndoshta në kërkim të titujve më “të rëndësishëm”, por me sigurinë se donte të kishte këtë lloj mundësie për t’i treguar botës potencialin e tij të plotë. Dhe bilanci i tij provizor është plot sukses. Dy finale të luajtura me Realin, dy gola të shënuar. Një kundër Atalantës në finalen e Superkupës së Europës, në finalen e tij të parë me “Los Blancos”.
Finalja e dytë dhe goli i dytë mbrëmë në Interkontinentale kundër Paçukës. Por francezi nuk ndalet me kaq, sepse që nga mbërritja te Reali ai ka shënuar në të katër kompeticionet ku ka luajtur. Dhe francezi nuk e ka fshehur kënaqësinë për trofeun e dytë të tij me Madridin dhe që me shumë gjasa do të pasohet edhe nga të tjerë.
Mediat spanjolle kanë zbuluar një bisedë mes tij dhe Tçuamenit, ku ai në një farë mënyre thumbon dhe ish-klubin e tij, PSG-në. “Erdha këtu për të fituar trofe ndërkombëtarë dhe kam dy njëherazi. Por ky është vetëm fillimi”.