Vllaznia do të udhëtojë nesër drejt kryeqytetit ku në orën 19:00 do të përballet me Partizanin, në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të të kampionatit. Në prag të kësaj sfide, trajneri i shkodranëve Tomas Brdariç ka dalë në konferencën e zakonshme për mediat.
“Është sfida më e madhe deri tani ndeshja ndaj Partizanit. Çdokush e di se kemi disa probleme që do mundohemi t’i zgjidhim, por nuk duhet të ankohemi. Do të jemi sa më kompetitivë nesër, edhe pse me gjysmë forcash, por përsëri jam shumë krenar për futbollistët që kam. Jemi të fokusuar 100% në ndeshjen ndaj Partizanit që të fitojmë, edhe pse me një numër të madh futbollistë që mungojnë.
Është një sfidë e madhe dhe na duhet punë ta përballojmë, por është një sfidë e bukur. Ky është futbolli dhe duhet të jemi gati.
E dimë që është një ndeshje speciale, është një nga ndeshjet më kryesore dhe duhet të jemi të vëmendshëm në mbrojtje. Jam shumë i sigurt që ndaj Partizanit do të krijojmë shumë mundësi dhe shpresoj të jemi sa më efektiv para portës së tyre. Ne do futemi për ta fituar ndeshjen. Më pas, gjatë lojës do të shohim se si mund ta përballojmë sfidën. Duhet të jemi të fortë mendërisht dhe na duhet një atmosferë e mirë.
Na duhet një atmosferë e mirë, në mënyrë që të jemi sa më pozitivë dhe të mos bëjmë gabime. Kryesorja është të punojmë për rezultate të mira dhe pas ndeshjes do të shohim se sa kemi arritur ta mbajmë rezultatin”, deklaroi ai.