Ka buxhetin e tretë më të lartë për pagat në Serie A

Futboll

Ka buxhetin e tretë më të lartë për pagat në Serie A

Më: 19 dhjetor 2024 Në ora: 15:21
Foto ilustrim

Paratë nuk luajnë në fushë, edhe pse shpesh ndihmojnë për të fituar. Në teori, sa më shumë të shpenzosh, aq më të mirë duhet t’i kesh lojtarët dhe, për pasojë, rezultate më të mira. Me këtë logjikë, Milani i sotëm, me buxhetin e tretë më të lartë për pagat në Serie A dhe vendin e tetë në renditje, është dukshëm jashtë standardeve. Para tij janë skuadra si Atalanta, Napoli, Lazio, Fiorentina dhe madje Bologna, të cilat shpenzojnë më pak, në disa raste shumë më pak se kuqezinjtë.

Do të ishte e lehtë të fajësohej Paulo Fonseca, trajneri që duket se nuk po arrin të marrë rezultatet që përputhen me koston e skuadrës. Megjithatë, duhet theksuar se trajneri portugez nuk është as në ‘top 4’ e trajnerëve më të paguar në Itali (Inzaghi dhe Conte fitojnë më shumë se dyfishin e tij, ndërsa Motta dhe Gasperini kanë po ashtu paga më të larta). Pra, nëse teoria “vlen aq sa kushton” do të ishte gjithmonë e saktë, do të kishte kuptim të pyetej pse Milani ka një trajner me një rrogë më të ulët se kolegët e ekipeve të tjera të mëdha.

Përgjigjja? Përveç konsideratave teknike (Ibrahimovic ka theksuar shpesh se zgjedhja e Fonseca ishte kryesisht për shkak të vizionit të tij në fushë), nuk duhet harruar se kur u zgjodh Fonseca, Milani ende po paguante Piolin. Gjithashtu, në buxhetin për pagat përfshihen edhe lojtarë si Origi (4 milionë euro neto në vit) dhe Ballo-Touré, të cilët janë zyrtarisht jashtë planeve të skuadrës, por ende figurojnë në listën e pagave.

Anomalitë – Është e drejtë të pyetet se si shpenzohen paratë. Historia e Serie A, edhe në dy-tri vitet e fundit, është e mbushur me raste të veçanta. Për shembull, nëse suksesi do të varej vetëm nga buxheti për pagat, Atalanta (dhe tani Bologna) nuk do të kishin luajtur kurrë në Champions; Napoli i Spallettit dhe Milani i Piolit nuk do të kishin fituar asnjë kampionat; Juventusi do ta kishte dominuar kampionatin edhe vitet e fundit, ashtu si në 9 sezonet paraardhëse të titujve të fituar radhazi.

Futbolli, megjithatë, nuk funksionon kështu. Faktorë si programimi, vizioni, qetësia dhe ndjenjat ndikojnë tek ekipet po aq sa talenti dhe taktika. Pra, është e qartë që në Milanin aktual diçka nuk shkon siç duhet.

Dobësitë e merkatos – Merkatoja verore, për shembull, nuk mbuloi disa dobësi të rëndësishme të skuadrës.

Fjala vjen, “Djalli” nuk ka një mbrojtës të majtë të mirëfilltë përveç Theo Hernandez. I riu Jimenez, që është natyralisht i djathtë, u përdor me sukses për herë të parë këtë sezon të dielën e kaluar kundër Genoa, ndërsa Terracciano është lojtar i përshtatur në këtë rol.

Me dëmtimin e Bennacer, mesfusha e Milanit është gjetur dukshëm e dobësuar, aq sa Fonseca ka qenë i detyruar të mbështetet vazhdimisht te Fofana dhe Reijnders, dyshja titullare që nuk pushon kurrë. Për mënyrën e lojës së portugezit, gjithashtu nuk ekziston një alternativë e ngjashme me Pulisic në rolin e trekuartistit. Pra, nuk është rastësi që në ndeshjen e fundit ndaj Genoa debutoi në atë rol i riu Liberali (i lindur më 2007).

Të gjitha këto janë anomalitë e një klubi që ka buxhetin e tretë më të lartë për pagat në Serie A, por është shumë larg standardeve të tij të pretenduara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat