Kristjan Asllani nuk po merr ende besimin e duhur nga ana e Inzaghit. Më shumë minuta priteshin për mesfushorin shqiptar në këtë sezon, por nuk po ndodh kështu.
Madje edhe në ndeshjen e sotme kundër Udinezes që është e vlefshme për Kupë, fillimisht Inzaghi projektoi si titullar sërish Calhanoglu, ndërsa në orët e fundit po flitet se do të jetë Asllani në fushë.
Kjo tregon qartë mungesën e besimit të Inzaghi, ndërsa e gjitha kjo ndikon padyshim edhe te mesfushori që kur aktivizohet në ato pak minuta, ka shumë presion dhe mundohet të mos gabojë, duke bërë më të thjeshtën. Por në një klub si i Interit, tifozët nuk mund të mjaftohen nga një lojtar që kryen detyrat më të thjeshta.
E gjitha kjo po vendos në presion Asllanin, i cili ka komente jo fort pozitive nga ana e tifozëve zikaltër. Por nëse Inzaghi nuk i beson, drejtuesit zikaltër kanë ende shumë besim te shqiptari. Mediat italiane kanë zbuluar se për Asllanin janë refuzuar plot 25 milionë euro në merkaton e verës pasi te Interi e konsiderojnë pjesë të rëndësishme për të ardhmen.
Duke parë situatën, e vetmja mënyrë sesi Asllani mund të qëndrojë te Interi dhe të marrë rolin e një lojtari me peshë, duket ndërrimi i trajnerit që për momentin është “mision i pamundur” duke parë rezultatet që ka sjellë në vitet e fundit dhe vazhdueshmërinë.