Trajneri i Mançester Junajtid, Ruben Amorim, deklaroi me vendosmëri se klubi është më mirë me Markus Rashford, pasi po flitet gjithnjë e më shumë se sulmuesi anglez mund të kërkojë një sfidë të re në karrierën e tij.
27- vjeçari, ndezi spekulimet për të ardhmen e tij të martën, gjatë një vizite në shkollën e tij të vjetër, ku la të kuptohet se ishte gati për hapat e ardhshëm. Koha e deklaratës ngriti vetullat pasi erdhi vetëm disa ditë pasi ai u la jashtë skuadrës në fitoren dramatike 2-1 të Junajtid në derbin ndaj Sitit në “Etihad”. Kur u pyet në lidhje me komentet e Rashfordit, i cili u la sërish jashtë skuadre për ndeshjen e sotme kundër Totenhemit në Kupën e Ligës, Amorim tha.
“Unë nuk flas për të ardhmen, ne flasim për të tashmen. Ne jemi më mirë me Markus Rashfordin. Ky lloj klubi ka nevojë për talente të mëdha dhe ai është një talent i madh”. Duke qenë me klubin që në moshën shtatë vjeçare, Rashford është sinonim i identitetit të Junajtid. Ai ka bërë 426 paraqitje që nga debutimi i tij në 2016, duke shënuar 138 gola dhe duke fituar Ligën e Europës, dy Kupa FA dhe dy Kupa të Ligës. Megjithatë, forma e tij ka qenë në rënie në sezonet e fundit. Pavarësisht një sezoni fantastik 2022-23, me 30 gola në 56 ndeshje, Rashford shënoi vetëm tetë gola në 43 paraqitje sezonin e kaluar, duke shënuar përqindjen më të ulët të konvertimit të gjuajtjeve në karrierën e tij, me 9.4%. Këtë sezon, paraqitjet e tij kanë qenë sporadike, me startin e tij të fundit në Premier Ligë që erdhi në një fitore 4-0 kundër Evertonit më 1 dhjetor, ku ai shënoi dy gola.
Trajneri portugez pranoi vështirësitë e fundit të sulmuesit, por shprehu besim të palëkundur në aftësinë e tij për të rifituar formën. “Ne do të provojmë gjëra të ndryshme për ta shtyrë Rashfordin në nivelet më të mira që më ka treguar në të kaluarën”, tha ai. Përjashtimi i Rashfordit nga skuadra e derbit, së bashku me Alehandro Garnaçon, ngjalli pikëpyetje rreth qasjes së Amorimit.
Trajneri portugez shpjegoi vendimet e tij si pjesë e një përpjekjeje për të zbatuar standarde të larta në të gjithë skuadrën. “Duhet të bëj zgjedhje bazuar në atë që shoh në stërvitje. Rashford dhe Garnaço janë në të njëjtën situatë si çdo lojtar tjetër. Nëse ata stërviten mirë, ata do të konsiderohen për përzgjedhje”.