Katër gola dhe dy asiste në 15 paraqitje për Napolin.
Ndikimi i Skot Mek Tominejt në futbollin italian dhe metodat Antonio Kontes kanë qenë mëse pozitive. Skocezi u bë menjëherë një shtyllë e mesfushës dhe një nga më të preferuarit e tifozëve.
Në një intervistë për “BBC Scotland” ai foli për transferimin e tij nga Mançesteri në Napoli duke deklaruar se: “Ishte një vendim i rëndësishëm, por edhe mjaft i thjeshtë për t’u marrë.
Pashë tifozët pasionantë, pashë trajnerin, pashë lojtarët dhe vlerësova këtë mundësi.
Nuk m’u desh shumë për të marrë vendimin, sepse e dija se ishte ajo që doja dhe nuk do të pendohesha kurrë në jetën time”.
Megjithatë, lamtumira me “Djajtë e Kuq” nuk ishte e lehtë, sidomos pas 22 vitesh të kaluara mes ekipit të të rinjve dhe ekipit të parë. Vendimi i Junajtidit, shpjegon Mek Tominej, ishte diktuar nga nevoja për të rregulluar llogaritë në kuadër të “fair play”-in financiar.
Siç shpjegoi ai: “Ishte një vendim i ndërsjellë. Natyrisht e di që për klubin bilancet ishin një temë e vështirë për t’u menaxhuar. Duke qenë atje që në moshën pesë vjeçare, ditën e fundit u thashë lamtumirë të gjithëve dhe nuk ishte aspak e lehtë, por jeta kështu e ka”.