Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka bërë të ditur ditën e sotme vendimet e fundit. Vendimi më i rëndësishëm për këtë javë është përjashtimi i dy tifozëve nga stadiumet.
Për aktet e dhunës në sfidën e Superiores mes Elbasanit dhe Bylisit dhe në ndeshjen Vora – Flamurtari të Kategorisë së Parë, Disiplina nuk i ka falur tifozët. Këta të fundit janë përjashtuar nga stadiumet për një afat të pacaktuar kohorë.
VENDIMI:
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, korrespondencën me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan lidhur me aktet e dhunës në ndeshjen e Abissnet Superiore, AF Elbasani – KF Bylis të zhvilluar më datë 04.12.2024 ora 16:30 në stadiumin “Elbasan Arena” dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë lidhur me aktet e dhunës në ndeshjen e Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Parë KF Vora – Flamurtari FC të zhvilluar më datë 02.12.2024 ora 13:30 në stadiumin “KF VORA”, ku janë konstatuar shkelje të parashikimeve ligjore të nenit 48 e vijues të Ligjit 79/2017 “Për Sportin” si dhe pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjet në tërësi duke u bazuar në nenin 59 e vijues të KDE
VENDOSI:
Të ndalojë hyrjen në stadiumet e futbollit të Republikës së Shqipërisë ku zhvillohen veprimtari të organizuara nga FSHF për një periudhë të pakufizuar kohe personave të më poshtëm:
Danjel Ylli Ahmeti.
Mateo Edmond Maraj
Në bazë të Nenit 7 të KDE, udhëzohen të gjithë anëtarët e FSHF të cilët kanë nën administrim stadiume futbolli, të garantojnë zbatimin e këtij vendimi.
Një kopje e këtij vendimi t`i përcillet Policisë së Shtetit.