Mbështetësit kuqeblu duket se nuk do t’i mungojnë Vllaznisë në ndeshjen e fundit të këtij viti.
Shkodranët do të shoqërohen nga tifozët e tyre të zjarrtë dhe në veçanti tifogrupi “Vllaznit”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ata bëjnë me dije se do të udhëtojnë të organizuar nga Shkodra drejt kryeqytetit ditën e premte. Tifogrupi po ashtu feston gjatë këtyre ditëve edhe 19-vjetorin e krijimit, si më të vjetrit në vend.
Kjo shihet si një arsye më shumë për ta shndërruar në festë ndeshjen kundër Partizanit. Paradoksi me tifozët ka qenë i madh te Vllaznia këtë sezon. Në transferta mbështetja e tyre nuk ka munguar asnjëherë, madje edhe në numër të konsiderueshëm.
Ndërsa në ndeshjet si vendas, kuqeblutë nuk është se kanë pasur numrin e duhur të tifozëve në shkallët e “Loro Boriçit”, që shpesh ka qenë i zbrazët, pavarësisht ecurisë pozitive të 9 herë kampionëve të vendit këtë sezon.