Tekniku Ilir Daja ka folur në prag të sfidës ndaj Egnatias. Trajneri i Dinamos ka komentuar mënyrën e lojës së rrogozhinasve dhe ka respektuar me fjalë të mira Tetovën. Sipas Dajës dihet vështirësia e takimit me jeshilët, por dinamovitët po bëjnë një ecuri mjaft të mirë
"Merkato? Dje kemi qenë si grup për të parë disa lojtarë për pozicionet ku na duhen. Jo se nuk vlerësojmë grupin që kemi, por për vazhdimësinë dhe mungesat apo rivalitetin kemi nevojë të përforcohemi në 2-3 vende. Po punojmë, nuk do të presim fundin e janarit për lojtarë që mund të vijnë.
Egnatia nuk shënon shumë, por ka dhe një raport të ulët të pësimit të golave, kërkon ta mbajë topin në kontroll dhe ne duhet t’i lëmë sa më pak kohë në dispozicion kundërshtarit për administrimin e lojës.
Tetova? Më vjen mirë, jo vetëm për Edlirin që ka këto rezultate. Është një trajner me perspektivë, pavarësisht se e ka vënë statusin e vet në futbollin shqiptar. Më vjen mirë kur shoh që ka dorë trajneri brenda një ekipi, kushdo qoftë ky trajner.
Na pret një ndeshje e fortë, pasi Egnatia ka lojtarë të mirë dhe një manovër të konsoliduar për meritë të trajnerit Tetova dhe stafit të tij. Ne nuk kemi rrugë tjetër, do të futemi për të bërë maksimumin.
Për llogari është pak herët. Kemi edhe festat përpara, kemi disa ditë për t’u rikuperuar nga ana psikologjike dhe fizike", u shpreh Daja.