Në ligën e tretë të futbollit anglez, njëri prej klubeve më të fuqishme është në pronësinë e aktorëve të Hollivudit, ndërsa në mesin e shpenzuesve më të mëdhenj të divizionit është edhe një burrë që konsiderohet ndër më të mirët që ka pasur futbolli amerikan në të kaluarën.
Mirëpo, ekipi me më pak xixa afër vetes, Wycombe Wanderers, që zotërohet në pjesën më të madhe nga miliarderi gjeorgjiano-kazak, Mikheil Lomtadze, është duke e luajtur ndryshe lojën.
Këtë e ka pohuar edhe Dan Rice, drejtor i klubit, Wycombe Wanderers, teksa ka komentuar ambiciet e dy grupeve tjera të ligës së njëjtë - Wrexham AFC and Birmingham City.
“Objektivi është i qartë, ata synojnë të arrijnë në ligën kryesore [Premiere League] sa më shpejt që është e mundshme. Edhe ne dëshirojmë të jemi aty, mirëpo jemi pragmatikë dhe shumë të fokusuar në rritje të grupit”, ka thënë Rice për Radion Evropa e Lirë, në një intervistë të zhvilluar në qendrën stërvitore të klubit në Londër.
Wrexham është në pronësi të dyshes së Hollivudit, Ryan Reynolds dhe Rob McElhenneyt, të cilët kanë krijuar dokumentar për rritjen e klubit në futbollin anglez, si dhe kanë rritur mundësitë për të krijuar partneritete komerciale.
Klubi Birmingham City, ku lojtari i pensionuar i futbollit amerikan ka aksione, ka luajtur historikisht në nivele më të larta të garave sesa tani, përfshirë garat evropiane, dhe e ka një stadium prej 30.000 ulësesh, tri herë më të madh sesa ai që gëzon klubi Wycombe.
Për kubin Wycombe, strategjia ndryshe e punës përfshin edhe planifikimet për krijimin e një akademie të futbollit “të klasit botëror”, me synim të hapjes së një dege në Kazakistan – shtetin ku Lomtadze, i lindur në Gjeorgji, dhe i edukuar në Harvard, e ka ndërtuar pasurinë e tij si bashkëthemelues i gjigantit teknologjik Kaspi.kz.
“Sapo e kemi kuptuar se çfarë dëshirojmë të ndërtojmë këtu, na është bërë synim që t’i sjellim lojtarët kazakë këtu për të parë atë që shpresojmë se do të jetë ambient elitar. Ne jemi shumë të interesuar në gjetjen e talenteve kazake”, ka thënë Rice.
Klub i vogël, por i fokusuar në detaje
Terreni fushor që shfrytëzohet tani nga Wycombe Wanderers në Harllington, në perëndim të Londrës, është testamenti më i mirë që një klub futbolli duhet të punojë vazhdimisht për të shënuar përparim.
Pjesën më e madhe të ndërtesës kryesore, që klubi e ndan me Kolegjin Imperial të Londrës i ngjan një kantieri ndërtimi, pasi hapësira ekzistuese është duke u shfrytëzuar për të ndërtuar objekte të reja për një staf në rritje.
Megjithatë, askush nuk mund të mos pajtohet që edhe ambientet aktuale janë disa herë më të mira sesa ato që i kanë shfrytëzuar lojtarët në sezonin e kaluar, afër vendlindjes së klubit, në qytezën High Wycombe, e cila gjendet rreth 50 kilometra në veriperëndim të Londrës.
Atje, fushat kanë qenë jostabile të paktën tre muaj përgjatë vitit, duke detyruar lojtarët që të stërviten në ambiente artificiale, çka ka rezultuar me lëndime.
Përgjatë sezonit të verës, klubi ka bërë disa zgjidhje të mençura, duke transferuar apo huazuar lojtarë.
Diçka e tillë është krejt normale për klubet e këtij niveli, përveç Birminghamit, i cili ka shpenzuar më shumë se 35 milionë dollarë në transferim të lojtarëve, me qëllim të ngjitjes së shpejtë në ligat më të avancuara.
Për fitoret e vazhdueshme të Wycombes – duke mposhtur edhe Wrexhamin dhe Birminghamin në gusht – Rice ia jep meritat menaxherit, Matt Bloomfield, legjendë e klubit.
Përgjatë së njëjtës kohë, ndryshimet mbrapa perdeve kanë qenë të pamëshirshme.
Prej verës, akademia e re e klubit është duke u drejtuar nga Jeremy Sauer, i cili është transferuar nga Brighton & Hove Albion, klub i mirënjohur për ekselencë në zhvillim të lojtarëve.
Sesionet e para të ekipeve duke u stërvitur, janë duke u incizuar me dronë – dhe për këtë duhet leje e përditshme, për shkak të afërsisë së Harlingtonit me aeroportin Heathrow – me qëllim të përmirësimit të performancës.
Klubi ka investuar shumë edhe në teknikat më të mira shkencore për rikuperim të lojtarëve, duke marrë parasysh se ata luajnë rreth 46 ndeshje brenda një sezoni.
Nuk ka Abramovich 2.0
Kaspi.kz nuk ka lidhje direkte me Wycombe Wanderers, të cilin e zotëron Lomtadze përmes kompanisë tjetër, Blue Ocean Partners Ltd.
Mirëpo, blerja e tij ka ndodhur në kohën kur kompania që ai bashkudhëheq me miliarderin tjetër, Vyacheslav Kim, është në kërkim të tregjeve të reja, pas dominimit në treg për pagesa digjitale dhe ofrim të shërbimeve tjera në tregjet e Kazakistanit.
Në tetor, Kaspi.kz, i ka shpenzuar më shumë se 1 miliard dollarë për të kontrolluar aksionet në Hepsiburada, njërën prej platformave më të mëdha komerciale në Turqi.
Në nëntor, kompania ka thënë se nuk është më e interesuar në blerjen e kompanisë uzbeke për sistem pagesash HUMO, ndonëse në fillim kishte shprehur interesim, pas lajmit për privatizim të gjigantit.
Futbolli anglez nuk është diçka e re për miliarderët e ish-vendeve sovjetike.
Projekti i Lomtadzes – që ka kryer shkollimin në Harvard – duket se është më me këmbë në tokë sesa ai i oligarkut rus, Roman Abramovich, i cili për dy dekada ka qenë në krye të klubit anglez, Chelsea.
Pozita e tij në klub ka marrë fund pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Në secilin skenar, rregullat e futbollit në Angli e bëjnë pothuajse të pamundshme që “superklubet’ të ndërtohen brenda natës.
Rregulloret përcaktojnë mundësitë e klubeve për të shpenzuar, në linjë me kapacitetet e tyre për të gjeneruar të hyra nga shitjet e biletave dhe burimet tjerat komerciale.
Aktualisht Wycombe Wanderers është në hall për të gjetur stadium, dhe shumë banorë lokalë, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, kanë thënë se parapëlqejnë klubet më të mëdha në afërsi të Londrës.
Megjithatë, Jonny Vipond, që së fundmi e ka dërguar vajzën e tij tetëvjeçare për të parë ndeshjen e parë të futbollit, kur ka luajtur ekipi Wycombe, ka thënë se beson që klubi ka qenë amator për më shumë se një shekull, por që tani është në pozicion të mirë./REL