Antoine Griezmann e ka njoftuar prej shumë ditësh tërheqjen nga kombëtarja franceze, diçka e papritur për shumë tifozë të “gjelave”. Kjo ka nxitur spekulime të shumta në Francë lidhur me arsyet e këtij vendimi.
Sipas një raporti të gazetës “L’Équipe”, portieri Mike Maignan është akuzuar si shkaktari i kësaj lëvizjeje.
Bëhet fjalë për një incident të supozuar pas humbjes së Francës ndaj Italisë, ku thuhet se Maignan kishte kritikuar qëndrimin e ekipit, duke përfshirë edhe disa lojtarë specifikë, mes tyre Griezmann.
Megjithatë, Maignan nuk ka qëndruar në heshtje dhe është përgjigjur me një qëndrim humoristik në rrjetet sociale: “Ahahaha, kam shpatulla të gjera…
Kush do të jetë i radhës?”
Nga ana tjetër, Antoine Griezmann ka reaguar gjithashtu, duke i hedhur poshtë këto pretendime. Në një koment në postimin e bërë nga “Actu Foot” në platformën “X” (ish-Twitter), ai e përgënjeshtroi këtë lajm me një fjalë të vetme: “Fake”. Të dy lojtarët, pra, kanë mohuar hapur çdo lidhje mes kësaj ngjarjeje dhe vendimit të Griezmann për ta lënë kombëtaren.