Mesfushori i Fiorentinës, Edoardo Bove do të jetë në tribunë në “Stadio Franchi” për ndeshjen e sotme me Udinesen, për herë të parë që kur u dërgua me urgjencë në spital.
Lojtari u rrëzua në minutën e 17-të të ndeshjes së tyre në Serie A kundër Interit më 1 dhjetor dhe për një kohë të shkurtër pati një arrest kardiak në fushë.
Ai tashmë po merrte frymë kur po bartej me auto-ambulancë dhe u dërgua me urgjencë në spitalin lokal, ku iu nënshtrua analizave dhe mori një defibrilator të implantuar.
Bove vizitoi bashkëlojtarët e tij në qendrën stërvitore të Viola Park , por nesër do të jetë hera e parë që ai do të kthehet në “Stadio Artemio Franchi” që nga ajo urgjencë mjekësore.
Babai i tij Giovanni kishte qenë në tribunë për ndeshjen me Cagliarin dy javë më parë, i ulur përkrah drejtorit të përgjithshëm Alessandro Ferrari.
22-vjeçari, i cili është i huazuar me opsion blerjeje nga Roma, kishte shënuar një gol dhe katër asistime në 14 paraqitje për “Violën” këtë sezon.
Sipas rregullave aktuale të Serisë A, Bove nuk mund të luajë me defibrilatorin e implantuar, por spitali i dha atij një që mund të hiqet më vonë.