Bukajo Saka pritet të qëndrojë për shumë javë larg fushe pasi ka një çarje në muskujt e pasmë të kofshës së djathtë në fitoren 5-1 të Arsenalit ndaj Kristal Palasit të shtunën, ka konfirmuar Mikel Arteta.Saka luajti vetëm 25 minuta në “Selhurst Park”, përpara se të tërhiqej duke mbajtur me dorë kofshën e tij dhe të rrëzohej në tokë. Sulmuesi, i cili ka shënuar pesë gola dhe 10 asiste në kampionat, u zëvendësua me Leandro Trosard.
Anësori u pa duke u larguar nga stadiumi me paterica dhe lëvizur me ndihmën e stafit. Dhe tani frika e tifozëve të Arsenalit është konfirmuar, pasi Arteta ka zbuluar se “Topçinjtë” do të duhet të jenë pa yllin e tyre për një periudhë të gjatë kohore. “Nuk po duket mirë. Ai do të jetë jashtë për shumë javë”, tha trajneri spanjoll.
“Është një goditje e madhe, por do të jetë një test i madh për ne për të kapërcyer një sfidë tjetër”. Spanjolli këmbënguli se stafi i tij mjekësor po punon për të parë se si mund të parandalojë dëmtime të tilla në të ardhmen.
“Ndoshta ka mënyra për të parandaluar dëmtimin”, shtoi Arteta. Ka shumë faktorë. Ne po shikojmë gjithçka dhe çfarë mund të bëjmë ndryshe”.
Kjo nuk është hera e parë që Saka ka probleme me atë zonë të këmbës së djathtë, me anësorin që ka munguar disa javë në tetor. I njëjti problem e mbajti 23-vjeçarin jashtë fushës për 39 ditë, një periudhë që përfshin humbjen e tyre zhgënjyese 2-0 me Bornmëthin, e cila nisi një seri rezultatesh të dobëta. Përsëritja e dëmtimit të Sakës është një goditje e madhe për “Topçinjtë”, të cilët mbeten gjashtë pikë larg liderëve të Premier Ligës, Liverpulit, që ka gjithashtu një ndeshje më pak.