Ky fundvit nuk ka qenë ashtu siç do të kishin dashur te Barcelona

Futboll

Ky fundvit nuk ka qenë ashtu siç do të kishin dashur te Barcelona

Më: 24 dhjetor 2024 Në ora: 16:32
Lewandowski

Ky fundvit nuk ka qenë ashtu siç do të kishin dashur te Barcelona.

Rezultatet zhgënjyese të njëpasnjëshme kanë bërë që skuadra të lëshojë kreun pikërisht në ndeshjen e fundit të vitit.

Dhe rrezikon ta gjejë veten -6 nga Atletiko dhe -5 nga Reali, nëse dy ekipet e Madridit fitojnë takimet e tyre të prapambetura. Ndaj te Barcelona është kohë reflektimi dhe marrje përgjegjësish.

Me radhë, Rafinja, Kubarsi, Pedri, Flik e kanë kuptuar se diçka nuk shkon dhe shumë gjëra duhen përmirësuar. Listës së fundmi i është bashkuar dhe Robert Levandovski. Polaku ishte i radhës që ka bërë “mea culpa”.

“Në dy ose tri ndeshjet e fundit kemi pasur raste të shumta të pastra që i kemi shpërdoruar. Unë vetë kam pasur ndjenjën se më ka munguar pak qetësia në zonë dhe ndoshta besimi në veten time”, tha sulmuesi në një deklaratë për “Liga TV”.

Qendërsulmuesi i Barçës vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë i skuadrës dhe i kampionatit me 16 gola, por në tri ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe Ligës së Kampioneve nuk ka shënuar asnjë gol. Seria e tij e shkëlqyer është ndalur. Leva pranoi ndjesitë e këqija me të cilat katalanasit shkojnë në pushime për shkak të humbjes ndaj një rivali të drejtpërdrejtë në garën për titull, Atletiko Madrid.

“Mendoj se skuadra është edhe më e zemëruar, sepse në pjesën e parë zhvilluam një lojë shumë të mirë. Ne ishim shumë të mirë, edhe në pjesën e dytë.

Ne ishim të mirë, por, për shkak të gabimeve tona, Atletiko krijoi raste dhe shënoi dy gola.

Ne nuk luajtëm keq, por sido që të luani, nëse nuk i shfrytëzoni mundësitë tuaja, bëhet e vështirë të fitoni. Dhe kjo shpjegon humbjen. Në minutat e fundit ne luajtëm sikur të ishim në një finale dhe e humbëm ndeshjen pasi po kërkonim të shënonim me çdo kusht. Definitivisht nuk duhet ta kishim humbur këtë takim”, shtoi polaku.

Sulmuesi veteran, 36 vjeç, ishte i bindur, megjithatë, se grupi do të dijë të kapërcejë dhe të gjithë do të rikuperojnë versionin e tyre më të mirë].

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat