Tirana është jashtë çdo parashikimi në këtë sezon dhe në merkaton dimrit do të ketë shumë hyrje dalje. Në fakt largimet e para kanë nisur dhe Arhan Isuf nuk do të jetë më pjesë e bardhebluve, teksa të tjerë lojtarë priten të zyrtarizojnë largimin e tyre.
Por përveç largimeve Gugash Magani kërkon përforcime për të mbushur boshllëkun në skuadër. Madje mësohet se trajneri u ka kërkuar drejtuesve afrime cilësore që të bëjnë diferencën në skuadër dhe të nxjerrin ekipin nga “kriza”.
Kështu drjetuesit kanë piketuar afrimet e para.
Sipas shtypit të shkruar bëhet me dije se në kryeqytet mund të rikthehet Ardit Hila. Ky i fundit mbyll aventurën e tij me Elbasanin dhe pritet të riveshë sërish fanellën e Tiranës.
Gjithashtu një ish i Partizanit pritet të vishet bardheblu. Vangjel Zguro do të provojë emocionet e kalimit te Tirana, teksa vetëm pak ditë më parë mbylli aventurën me rivalët e kryeqytetit.
Ditë të “nxehta” priten te Tirana, me bardheblutë që do të punojnë shumë për të kompletuar ekipin për pjesën e dytë të sezonit. .