Kursi për trajnerët e licencës UEFA B, i organizuar nga FSHF në zonën e Elbasanit mbylli me sukses edicionin e tij të parë me diplomimin e 35 pjesëmarrësve që ishin pjesë e këtij kursi, ndër të cilët tre vajza.
Një kurs ku interesi ka qenë mjaft i lartë, pasi nuk përfshiu vetëm të rinj e të reja nga qyteti i Elbasanit, por edhe nga qytetet përreth si Gramshi, Librazhdi, Peqini e Cërriku.
Ditën e sotme u organizua edhe ceremonia e diplomimit të trajnerëve të rinj të kësaj zone, ku të pranishëm ishin anëtari i KE-së së FSHF-së, Ylli Çekiçi, përfaqësues të SHRF Elbasan dhe përfaqësues të Sektorit të Edukimit në FSHF, të cilët kanë organizuar programin dhe janë kujdesur edhe për mbarëvajtjen e këtij kursi për formimin sa më cilësor të trajnerëve të rinj.
Kursi për trajnerët e licencës UEFA B zgjati rreth 4 muaj, i ndarë në disa periudha.
Të gjitha leksionet janë zhvilluar në qytetin e Elbasanit nën kujdesin e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan. Ish-futbollistë të ekipit kombëtar si Dorian Bylykbashi, Naser Aliji, Valdet Rama apo edhe futbollistë që kanë qenë pjesë e skuadrave shqiptare si Vilfor Hysa, Rejnaldo Troplini etj janë pajisur me këtë licencë.