Kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina ka reaguar rreth ‘akuzave’ ndaj tij se ka kërcënuar gjyqtarët.
Sot gjatë ditës, Komisioni i Garave i FFK-së, ka hapur një procedurë disiplinore për kryetrajnerin e Llapit, Tahir Batatinën, me arsyen se ky i fundit kishte kërcënuar gjyqtarët e ndeshjes Llapi – Dukagjini.
Në njoftimin e FFK-së, thuhej se Batatina s’i kishte lejuar gjyqtarët të largohen nga stadiumi, duke iu thënë “se nuk ju lëshoj nga këtu pa ardhë me ju marrë ata të FFK-së”.
Mirëpo, një gjë të tillë trajneri llapjan e ka mohuar kategorikisht përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
Ai ka thënë se nuk e ka bërë kurrë një gjë të tillë.
“Në cilësinë time si kryetrajner i KF Llapi, ndihem i detyruar të reagoj fuqimisht ndaj pretendimeve të pavërteta dhe të pabazuara, të cilat synojnë të dëmtojnë emrin tim dhe imazhin e klubit, KF Llapi.
Dua të sqaroj se nuk kam penguar në asnjë moment lëvizjen e lirë të gjyqtarëve apo daljen e tyre nga stadiumi, siç pretendohet nga Komisioni i Garave.
Pas përfundimit të ndeshjes, kam kërkuar një sqarim të qetë dhe të arsyeshëm lidhur me një moment të diskutueshëm të ndeshjes, konkretisht mbi arsyen pse gjyqtari kryesor zgjodhi të shikonte sistemin VAR për rastin e golit (offside), pasi që kjo gjë nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë nga një gjyqtar kryesor prej se VAR implementohet në Kosovë. Ky është një veprim i zakonshëm dhe i drejtë për çdo trajner që kërkon transparencë dhe qartësi mbi vendimet e marra gjatë një ndeshjeje.
Për më tepër, nuk kam bërë asnjë kërcënim apo veprim që të kufizojë lirinë e lëvizjes së gjyqtarëve, dhe këto pretendime janë plotësisht të pavërteta
Asnjëherë nuk kam përdorur gjuhë kërcënuese, siç pretendohet në këtë inicim diciplinor, dhe çdo deklaratë që thotë të kundërtën është e gabuar dhe keqinterpreton qëllimet e mia”, thuhet në reagimin e Batatinës.
Përveç Batatinës, në procedurë disiplinore është dërguar edhe Muhamet Rexhepi e Besart Hoti nga Llapi, për shkak se kishin dëmtuar sistemin VAR, pas përfundimit të ndeshjes.