Sadat Pajaziti: Apolonisë i duhen afrime në çdo repart

Futboll

Sadat Pajaziti: Apolonisë i duhen afrime në çdo repart

Më: 25 dhjetor 2024 Në ora: 14:14
Sadat Pajaziti

Pas përfundimit të javës së 17-të të Kategorisë së Parë, Apolonia e mbyll vitin 2024 e teta në renditje.

Dueli me Besën ishte fatsjellës për fierakët, për t’u ringritur në klasifikim dhe për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në fazën “play off”.

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, trajneri Sadat Pajaziti shprehet i kënaqur për fitoren me Besën në transfertë.Pajaziti thekson, se në janar do të ketë afrime. Kategorinë e Parë e cilëson të vështirë, por nuk i trembet askujt dhe “play off”-i mbetet ende një objektiv real.

Pajaziti, ju kënaqi fitorja me Besën?

Patjetër që po. Më bëri krenar, sidomos për vendosmërinë dhe përgjegjshmërinë e skuadrës. Ishim në ditën tonë më të mirë, për të mos thënë në kufijtë e lojës perfekte në të dyja fazat e saj. Kishim vendosmëri, dëshirë, ambicie, disiplinë dhe besim për të fituar, ndaj i falënderoj të gjithë lojtarët, pa përjashtim. Ishim një skuadër e organizuar mirë, që luajti dhe luftoi në çdo minutë vetëm për fitore.

Sa ju shërben fitorja në ndeshjen e fundit me Besën?

Na shërben më shumë në anën morale dhe për vazhdimësinë, ku vijuam me lojërat e mira ndaj ekipeve pretendente. 7 pikë nga 9 të mundshme me ekipet që kryesojnë kampionatin dhe që pretendojnë Superioren këtë fazë të dytë, nuk janë pak. Personalisht jam i fokusuar te rrugëtimi dhe rritja e një mentaliteti të fortë e fitues. Të jemi të aftë të përballojmë një kampionat kompleks dhe plot vështirësi.

Kemi parë një Apoloni rezultative me të mëdhatë dhe ndryshe me të tjerat…

Të tregohem i sinqertë, kemi një skuadër të cunguar dhe të limituar që i mungojnë alternativat. Na ka ndjekur dhe fati i keq me dëmtimet, ku në çdo ndeshje kemi pasur 2 ose më shumë lojtarë me probleme. Tani është rikthyer mesfushori Mikael Rakipaj, i cili na ndihmon në kontrollin e lojës. Bashkë me stafin mjekësor po punojmë çdo ditë për rikuperimin e plotë të lojtarëve me probleme, në mënyrë që ata të jenë gati dhe në formë optimale për pjesën e mbetur të sezonit.

A ka nevojë Apolonia për përforcime në janar?

Unë mendoj se po. Të gjithë bashkë do të punojmë për të përforcuar skuadrën aty ku e ka më të nevojshme.

Ku e ka më të nevojshme skuadra të përforcohet?

Së pari në mesfushë, një lojtar që bën mirë rolin e organizatorit dhe me një anësor tjetër. Së dyti, në sulm ku kemi nevojë për një lojtar që mund të bëjë krahët. Së treti, në mbrojtje nevojitet një lojtar krahu. Së paku tre goditje, nga një lojtar për çdo repart. Unë dhe stafi teknik dhe drejtues, me në krye presidentin Kokëdhima, kemi dëshirën e madhe për të përforcuar skuadrën, që do të jetë në sasi dhe cilësi e gatshme të luftojë për objektiva më të rëndësishëm.

Si ju duket vendi i tetë në tabelë?

Që kur kam marrë drejtimin e Apolonisë, nuk e kam parë tabelën e renditjes. Nuk më thotë asgjë, pasi diferencat mes skuadrave janë shumë të vogla dhe ndeshjet po vendosen nga episode të veçanta. Për mendimin tim, renditja aktuale nuk ka kurrfarë rëndësie, pasi jemi fiks në mes të kampionatit dhe mund të ndryshojë. E rëndësishme është të na pëlqejë në fund dhe të jemi aty ku duhet. Objektivi ka qenë dhe mbetet të fitojmë çdo ndeshje. Në fund do të shohim ku do të arrijmë.

Diferenca me “play off” është 4 pikë larg, sa e vështirë është për ta arritur këtë objektiv, si të vetmin për t’u ngjitur në elitë?

Mund të jetë pak i vështirë ky objektiv, por ne e dimë se do të jetë gjithmonë edhe më e vështirë. Kemi hyrë në fazën e nxehtë, por jemi të përgatitur për të përballuar çdo situatë dhe vështirësi që do të na shfaqet. E theksoj, objektivi ynë është fitorja e çdo takimi. Sigurisht, nuk do të jetë e lehtë, por ky është objektivi dhe qëllimi që kemi për të arritur ndeshje pas ndeshje, me seriozitet dhe besim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat