Pas disa dëmtimesh që kanë prekur së fundi skuadrën e Arsenal duket se ka ardhur koha që në skenë të rikthehet sulmuesi Gabriel Jesus. I rikthyer si titullar në sfidën e fundit në Premier League, ai realizoi dy gola, duke treguar se nuk e ka harruar nuhatjen për portën kundërshtare.
Me dëmtimin e Saka ai pritet të ketë më shumë hapësira, çka e konfirmon trajneri Mikel Arteta. “Gabriel ka pasur disa momente të vështira dhe si sulmues kjo nuk është e lehtë, sepse ju jeni në qendër të vëmendjes”, tha trajneri i Arsenal.
“Por, merita për golat i takon atij, sepse etika e tij e punës, mënyra se si u kthye në verë ai ishte një lojtar krejtësisht tjetër. Tani ai po shpërblehet. Ndonjëherë kjo kërkon kohë, por kjo është bukuria e futbollit. Gjërat ndryshojnë”, shtoi Arteta.
“Merita e madhe për Jesus është se ai punon shumë dhe ka besim në atë që bën.
Atij iu dha mundësia dhe e tregoi se çfarë mund të bëjë. Tani shpresoj që ta tregojë sërish veten, pasi kemi shumë nevojë për të pas këtyre dëmtimeve”, tha Arteta.