Interi dhe Napoli mezi presin

Futboll

Interi dhe Napoli mezi presin

Më: 26 dhjetor 2024 Në ora: 12:13
Inzaghi e Conte

Nuk ka kohë as për ta tretur panetonen, pasi rikthehen në fushë për sprintin e fundvitit.

Ky rikthim mund të ketë një peshë specifike të rëndësishme në renditjen e Serie A. Kalendari përmban tri përballje direkte, nag të cilat dy skuadra, mbi të gjitha, mund të përfitojnë.

Le ta fillojmë me Atalantën, kryesuesen aktuale të kampionatit italian.

Formacioni i Gasperinit, i cili ka humbur Reteguin për shkak të një dëmtimi, është thirrur ta mbyllë në mënyrë të shkëlqyer këtë vit të jashtëzakonshëm dhe historik në fushën e vështirë të Lazios.

Një provë maturie që do të tregojë shumë për shanset e titullit të bergamaskëve, të cilët, duhet thënë, kurrë më parë nuk kanë demonstruar këtë nivel soliditeti, thellësie të skuadrës dhe aftësie për të kapërcyer vështirësitë.

Fitorja kundër Empolit përfaqëson në këtë kuptim një kthesë të vendosur krahasuar me të kaluarën, kur Atalanta, një skuadër e rrezikshme për të gjithë, humbiste pikë herë pas here dhe nuk arrinte të konkurronte me më të mirët e kampionatit. Nga ana tjetër, Lazio është një kundërshtar i komplikuar që, përveç humbjes në shtëpi kundër Interit, gjithmonë ka bërë shumë mirë.

Pikërisht Interi, së bashku me Napolin, mund të përfitojë nga kalendari i favorshëm në këtë javë të fundit të vitit 2024. Simone Inzaghi, tri pikë larg Atalantës, por me një ndeshje më pak, do të sfidojë Cagliarin dhe duhet të tregojë se mund ta mbajë drejtimin para udhëtimit në Arabinë Saudite për Superkupën Italiane.

E njëjta gjë vlen edhe për Antonio Conten, i cili do të presë në shtëpi Venezian dhe do të përpiqet të mbajë hapin me skuadrat e para. Atalanta, Interi dhe Napoli mund të japin në çdo rast shtysa vendimtare në renditje, sepse ndeshjet Juventus-Fiorentina dhe Milan-Roma do të shkaktojnë domosdoshmërisht “viktima”.

Vjollcët, pas dy humbjeve radhazi, po rrëshqasin ngadalë duke humbur terren. Bardhezinjtë, pas fitores kundër Monzës, duhet të tregojnë se më në fund janë “shëruar” nga barazimet e njëpasnjëshme, që kanë shënjuar rrugëtimin e tyre.

Milani dhe Roma, zhgënjimet e mëdha të kësaj pjese të kampionatit, janë të thirrura të ndryshojnë ritmin për të tentuar të rikthehen në garat europiane. Kuqezinjtë arrijnë në përballjen direkte pak të dëmtuar dhe pa Leaon.

Verdhekuqtë vijnë pas një goleade kundër Parmës, por edhe pas humbjes, vetëm një javë më parë, kundër Comos. Për të dyja, imperativi është të fitojnë, sepse një barazim, me të tjerat që po vrapojnë, nuk i shërben askujt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat