Për të kuptuar se çfarë kërkon Lamine Yamal nga jeta dhe nga Barcelona, në moshën 17-vjeçare dhe duke qenë në qendër të vëmendjes, mjafton intervista që ai dha për “Sport”.
“Gjërat më të rëndësishme janë të jesh i lumtur dhe të argëtohesh, të mos mendosh për asgjë dhe thjesht të luash futboll, – tha talenti i jashtëzakonshëm i klubit katalanas, i cili këtë verë u shpall kampion i Europës. – Stili i lojës është ajo që e përkufizon më shumë një lojtar. Nëse je një person i gëzuar, njerëzit në fushë do të të shohin si dikë që kënaqet me topin”.
Sulmuesi i djathtë, i lindur në vitin 2007, nuk mendon shumë për të ardhmen, por fokusohet tek e tashmja, duke theksuar megjithatë se e ka realizuar një ëndërr: “Ajo që ëndërron çdo futbollist është të luajë në një Europian, të shohë tifozët me fanellën e tij, të festojë me to”.
Referenca në këtë rast është eksperienca e tij këtë verë, në Gjermani. Yamal e përshkroi Europianin si një pikë kthese: “Ka pasur një moment shumë të rëndësishëm për ne si kombëtare. Ndeshja kundër Brazilit solli një ‘boom’ të madh, por në Europian gjithçka ndryshoi”.
Duke kujtuar përvojën e tij pas Europianit, talenti 17-vjeçar rrëfeu: “Kur shkova me pushime, e vura re që nuk ishte më njësoj. Më konsideronin një lojtar të brezit të ri. Të gjithëve iu pëlqen të njihen për punën e tyre. Jam shumë i lumtur”.
Në fund, Yamal foli për progresin e tij dhe aspektet që ende mund të përmirësojë: “Pak nga pak kam bërë përparime, duke u fokusuar më shumë te mbrojtja dhe ndihma për ekipin. Është çështje ndryshimi mentaliteti dhe dhënia e gjithçkaje që kam në detyrat mbrojtëse”.