Pezullim i regjistrimit të Dani Olmo-s në La Liga deri në fund të sezonit.
Gjyqtari Ignacio Fernández de Senespleda, nga Gjykata e Tregtisë Nr. 10 në Barcelonë, publikoi këtë të premte vendimin e tij, duke refuzuar kërkesën për masë të përkohshme për regjistrimin e mesfushorit të Barcelonës.
Të hënën e ardhshme, më 30 dhjetor, klubi blaugrana do të paraqesë një padi të re kundër La Ligës në një Gjykatë të Shkallës së Parë për të kërkuar masën e përkohshme, me shpresën që Olmo të mund të luajë në pjesën e dytë të sezonit.
Argumenti që do të përdorë Barcelona është se të gjitha rregullat për regjistrimin e lojtarëve janë të pavlefshme, pasi ato rregullohen nga një organ që ata e konsiderojnë jo kompetent, siç është Komisioni Delegat i La Ligës.
Koha po punon kundër katalanasve, pasi ata kanë si afat të fundit datën 31 dhjetor për të regjistruar Olmo-n në kompeticion, transmeton Gazeta Express.
Vendimi i gjyqtarit për regjistrimin e Dani Olmo-s vjen pas seancës dëgjimore të së hënës së kaluar, ku avokatët e FC Barcelona-s dhe të La Ligës u thirrën në “Ciutat de la Justícia” të Barcelonës për të paraqitur argumentet e tyre pas padisë së paraqitur nga klubi blaugrana.
Nga Barcelona kishte heshtje rreth çështjes, por klubi ishte i sigurt se vendimi gjyqësor do të ishte në favor të tyre dhe do të lejonte regjistrimin e Dani Olmo-s. Megjithatë, rezultati përfundimtar nuk ishte ai që shpresonin.