Amorim e di se e ka të rrezikuar vendin

Futboll

Amorim e di se e ka të rrezikuar vendin

Më: 27 dhjetor 2024 Në ora: 17:00
Ruben Amorim

Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, thotë se shpenzimi i madh për ta sjellë atë nuk do ta mbrojë nga shkarkimi nëse nuk arrin të krijojë një skuadër fituese.

Edhe pse burimet e klubit theksojnë se ka mbështetje të plotë për trajnerin e ri brenda Old Trafford, rezultatet dhe paraqitjet e fundit kanë bërë disa tifozë të shqetësuar.

Tifozët e pranishëm në ndeshjen jashtë fushe fishkëllyen lojtarët pas humbjes 2-0 kundër Wolves në Molineux në “Boxing Day”. Shumë prej tyre u larguan para kohe, duke lënë lojtarët të përshëndesin një pjesë tribunash bosh përpara se të futeshin në tunel.

“Trajneri i Manchester United nuk mund të jetë kurrë, pavarësisht gjithçkaje, i qetë,” tha Amorim.

“Mund të thuhet se kam qenë këtu vetëm një muaj dhe kam pasur katër seanca stërvitore, por ne nuk po fitojmë. Kjo është realiteti.”

Amorim ka grumbulluar shtatë pikë nga shtatë ndeshje të Premier League që kur mori drejtimin muajin e kaluar – vetëm një pikë më shumë se bashkatdhetari i tij portugez, Vitor Pereira, i cili ka fituar të dyja ndeshjet që kur u bë trajner i Wolves.

Pesë humbje në dhjetë ndeshjet e para të Amorim përbëjnë rekordin më të keq për një trajner të ri të United që nga koha e Walter Crickmer, i cili mori drejtimin si sekretar klubi në vitet 1930.

Kjo nuk ishte ajo që pritej kur shefi ekzekutiv Omar Berrada fluturoi në Lisbonë për t’i ofruar Amorim punën pas shkarkimit të Erik ten Hag më 28 tetor.

United ishte aq i bindur për Amorim sa pagoi Sportingut 10.6 milionë £ në kompensim për ta nxjerrë nga kontrata e tij.

Por Amorim nuk beson se kjo do ta shpëtojë nëse rezultatet nuk përmirësohen.

“E di që nëse nuk fitojmë, pavarësisht nëse kanë paguar klauzolën apo jo, çdo trajner është në rrezik,” tha ai. “Më pëlqen kjo, sepse ky është profesioni.”

Pesë ditët midis ndeshjes në shtëpi kundër Newcastle më 30 dhjetor dhe vizitës shumë të vështirë te rivalët e vjetër dhe pretendentët për titull Liverpool më 5 janar, përbëjnë periudhën më të gjatë që Amorim do të ketë pasur për të punuar me lojtarët e tij që nga emërimi.

Ai do të ketë edhe një javë tjetër pushim pas kësaj, por tri ndeshje të tjera në mesjavë do ta kufizojnë kohën e tij për të punuar me një skuadër që burimet e United thonë se nuk pritet të pësojë ndryshime të mëdha gjatë merkatos së janarit, për shkak të kufizimeve financiare të klubit.

Padyshim, do të kishte qenë më e lehtë që një tranzicion kaq dramatik të ndodhte gjatë verës.

Amorim kërkoi që kalimi i tij të shtyhej deri në fund të sezonit, por kjo kërkesë u refuzua nga Berrada.

“Nuk ka kuptim të flasim apo të mendojmë për këtë,” tha Amorim. “Unë jam këtu dhe duhet të përqendrohem te puna.

“Është pjesë e futbollit të kalosh nëpër këto momente të vështira. E dija që do të ishte e vështirë. Pret të fitosh më shumë ndeshje, të kesh lojtarë me më shumë besim për të shitur idenë, për të punuar dhe për të përmirësuar gjërat.

“Por në këtë moment është vërtet e vështirë. Duhet të mbijetojmë për të fituar kohë dhe pastaj të përmirësojmë skuadrën".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat