Pas Aleksa Zlatkov dhe Michal Pinter, FC Shkupi me shumë gjasa së shpejti do të ndajë rrugët edhe me tre futbollistë të tjerë.
Siç mëson “infOSport.mk”, klubi nga Çairi për pjesën pranverore nuk do të llogarisë në shërbimet e Johan Edmundson, Yumemi Kanda dhe Kristijan Toshevski.
Ky i fundit nuk kishte fare hapësira, duke luajtur vetëm një ndeshje gjatë stinorit vjeshtorë, ndërsa sa i përket dyshes së huaj, Edmundson-Kanda, që të dy ishin ndër më të spikaturit te FC Shkupi, mirëpo jo që bënin dallimin.
Edmundson te FC Shkupi erdhi shkurtin e këtij viti, teksa në vjeshtë në 12 ndeshje të zhvilluara regjistroi 3 gola dhe 3 asistime.
Po aq gola realizoi edhe japonezi, Kanda, i cili skuadrës nga Çairi i ishte bashkuar gushtin e këtij viti.
Me largimin e kësaj treshe, FC Shkupi pritet që së shpejti të fillojë me angazhimin e futbollistëve të rinj, që do të plotësonin këto zbraztira.
Kujtojmë, drejtuesit e rinj të FC Shkupit, së fundmi më shumë janë përqëndruar edhe te Akademia e tyre, duke nënshkruar kontrata profesionale me talentët e tyre, siç janë, Ariton Mehmedi, Andi Ismaili dhe Anes Bajrami.