Sezoni i Tottenham nuk po shkon sipas pritshmërive, aq më pak përmbush ëndrrën e hapur të Ange Postecoglou për të shtuar një trofe në vitrinën thuajse bosh të klubit.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Wolverhamptonit (nesër, ora 16:00), trajneri i “Spurs” iu përgjigj edhe pyetjeve që lidhen me merkaton e janarit:
“Në situatën ku ndodhemi aktualisht, mendoj se është shumë e rëndësishme të veprojmë në merkato. Kjo vlen nëse shtojmë lojtarët e duhur, që përshtaten me atë që duam të bëjmë. Pozita jonë në kampionat nuk është e shkëlqyer, por renditja është shumë e ngushtë dhe nuk jemi aq larg.
Siç kam thënë, jemi në gjysmëfinale të ‘Carabao Cup’, ende në një pozicion të mirë në Europë, kemi në lojë ‘FA Cup’. Ka ende shumë për të luajtur këtë sezon, për ta bërë atë të suksesshëm, por kemi nevojë për ndihmë. Vetë lojtarët kanë nevojë për ndihmë dhe klubi po punon fort për ta përforcuar ekipin”.
Bilanci për vitin 2024: “Besoj se situata është paksa e ndërlikuar. Sezoni i kaluar, ku përfunduam në vendin e pestë, ishte një arritje e mirë, duke marrë parasysh ndryshimet që bëmë. Ishim të gjithë të vetëdijshëm se do të ishte një sfidë e madhe rindërtimi i klubit, ekipit, stilit të lojës dhe ruajtjes së konkurrencës. Mendoj se ia dolëm.
Këtë sezon kemi pasur shumë ulje-ngritje; rezultatet nuk kanë pasqyruar gjithmonë rritjen tonë. Futbolli që kemi treguar këtë sezon ka qenë më i mirë se ai i sezonit të kaluar, çka është ajo që po kërkojmë, pra përmirësimi.
Nuk kemi qenë të qëndrueshëm në këtë aspekt dhe kemi pasur sfida nga ato që ka ndodhur me ekipin kohët e fundit, gjë që ka ndikuar paksa në progresin që donim të arrinim deri në këtë pikë.
Megjithatë, unë ende besoj se jemi në trajektoren e duhur për t’u bërë ekipi që duam të jemi. Siç kam thënë më parë, do ta kalojmë këtë periudhë të vështirë dhe do të arrijmë atje ku synojmë”.