Miralem Pjaniç, ish-mesfushori i Barcelonës gjatë viteve 2020-2022, gjithashtu ish-lojtar i Romës dhe Juventusit, ishte i pranishëm si një nga yjet në eventin “Globe Soccer Gala” në Dubai.
Boshnjaku 34-vjeçar, i cili aktualisht luan për CSKA Moskë, mori pjesë në aktivitet me djalin e tij, me ftesë të organizatorëve, edhe pse nuk fitoi asnjë çmim. Gjatë një interviste për “Sky Sport”, ai vlerësoi Lamine Yamal kur u pyet për lojtarët më të spikatur dhe në kulmin e tyre, në futbollin e sotëm modern.
Ja deklarata e tij: “Si futbollist, nuk mendoj se befasohem nga ndonjë lojtar. Më pëlqen shumë të shoh Lamine Yamal kur ka topin. Kur isha te Barcelona, tashmë më flisnin për të. Më thoshin se do të bëhej një yll i së ardhmes dhe kishin të drejtë. Duhet ta mbrojmë, sepse ka një talent të jashtëzakonshëm”.
Sa i përket të kaluarës së tij mes Romës dhe Juventusit, boshnjaku pranoi: “Më mungon Italia, nuk mund të harrohen 9 vite. A do të kthehem? Ndoshta një ditë, por nuk besoj si lojtar”.
Sa u përket vendimeve të fundit të Juventusit, përfshirë shkarkimin e Allegrit dhe emërimin e Thiago Motta si trajner, si dhe investimet në merkato dhe pozicionin aktual të gjashtë në renditje, Pjaniç tha:
“Mund të kishin bërë diçka më shumë, por kanë një trajner të ri dhe i duhet kohë. Kanë investuar shumë para në merkato, gjithmonë synojnë të fitojnë kampionatin dhe nuk janë kurrë të kënaqur, kur nuk janë të parët. Jam i sigurt se Motta dhe e gjithë skuadra bardhezi do të bëjnë gjithçka për të konkurruar”.