Pep Guardiola është duke e kaluar ndoshta sezonin më të vështirë në karrierën e tij si trajner.
Përkundër fitores ndaj Leicester Cityt mbrëmë me rezultat 2:0 në ndeshjen e tij të 500-të në krye të Manchester Cityt, trajneri spanjoll shprehet i bindur se “Citizens” s’kanë gjasa për ta mbrojtur titullin e kampionit në Premierligë.
“Qytetarët” e fituan mbrëmë vetëm lojën e parë në 14 ndeshjet e fundit, ndërsa kanë mbetur shumë prapa liderit, Liverpool.
Për këtë, ish-trajneri i Barcelonës dhe i Bayern Munichut e sheh të pamundur triumfin për herë të pestë radhazi në Angli.
“Jemi shumë larg ta fitojmë Premierligën. E pranojmë që tashmë nuk ka asnjë shans për këtë, por kemi gjëra të tjera për të cilat duhet të luftojmë. Shpresojmë që në vitin tjetër të kalojmë momentin e keq”, deklaroi Guardiola pas lojës me Leicester Cityn.
Nën drejtimin e Cityt, trajneri spanjoll i ka fituar 362 ndeshje nga 500 të mundshme, ndërsa i ka fituar deri tash 18 trofe.