Fundi i karrierës po afrohet për Edinson Cavanin.
Ish-sulmuesi i Paris Saint-Germanit dhe i Napolit ka njoftuar se shpejt do t’i vendosë këpucët në gozhdë, ndërsa ka siguruar se Boca Juniors do të jetë klubi i tij i fundit në karrierë.
“E kam thënë tashmë se do ta mbyll karrierën në Boca dhe mendoj se do ta respektoj këtë dëshirë”, deklaroi uruguaiani në një intervistë për “Diaro Olle".
Kontrata e “El Matador” me klubin argjentinas do të skadojë më 31 dhjetor të vitit 2026, ndërsa atë e kishte vazhduar në muajin tetor për një vit.
Sulmuesi 37 vjeç mund të luajë edhe dy vjet, nëse do ta respektojë kontratën deri në fund.
“Duhet të përgatitemi mirë për vitin 2025”, shtoi ish-futbollisti i Palermos, i cili qysh tash po mendon për objektivat e radhës.
Në shënjestër të tij është Botërori i Klubeve, ku në fazën e grupeve skuadra nga Buenos Aires do të përballet me Bayern Munichun, Aucklandin e Benfican.
Nga arritja e tij në Argjentinë, Edinson Cavani i ka shënuar 23 gola në 55 ndeshje, duke demonstruar se nuk e ka humbur ende instinktin e golit pas një eksperience të paharrueshme me Valencian.