Lajme të këqija për Wolvesin, skuadër që po lufton për mbijetesën në Premier League.
Matheus Cunha është skualifikuar dhe është gjobitur 80 mijë sterlina pas një “incidenti” të verifikuar në fund të ndeshjes kundër Ipswich.
Braziliani duket se është përfshirë në një sherr me një prej pjesëtarëve të stafit të skuadrës kundërshtare pas ndeshjes së zhvilluar 14 dhjetorin e kaluar dhe FA e ka dënuar.
Cunha është akuzuar për sjellje të pahijshme sepse ka goditur me bërryl dhe i ka hequr syzet një asistenti të trajnerit Kieran McKenna.
Episodi ka ndodhur pasi Jack Taylor ka shënuar në minutat e fundit golin e fitores për Ipswich. Për shkak të asaj fitoreje u shkarkua Gary O’Neil, i zëvendësuar nga Vitor Pereira.
Wolves ka fituar katër nga 19 ndeshjet e luajtura në kampionat dhe mban vendin e 17-të në Premier League.
Cunha është lojtari më i mirë i Ujqve: tetë golat e realizuar deri tani tregojnë qartë sa i rëndësishëm është ai për skuadrën dhe sa mund të ndikojë mungesa e tij.
Ish-lojtari i Atletico Madrid do të mungojë në ndeshjet kundër Nottingham Forest në kampionat dhe kundër Bristol City në FA Cup.