Edon Zhegrova ishte padyshim një prej lojtarëve shqiptarë më të mirë të këtij viti. Futbollisti i Lille ka qenë fjalë e parë në të gjitha mediat europiane, jo vetëm ato shqiptare.
Emri i tij është përmendur shumë në merkato sa i përket një transferimi të madh, megjithëse për presidentin e Lille është ende herët që Zhegrova të bëj një hap të tillë. I ftuar në emisionin “Max Sport” që transmetohet në “EuroNews”,
Zhegrova ka bërë një rrëfim të gjatë, ku mes të tjerash ka prekur edhe temën e Shqipërisë dhe Kosovës.
“Unë edhe këtu ku jam u them që jam shqiptar nga Kosova dhe u flas për Shqipërinë dhe Kosovën. Ata më pyesin përse nuk janë bashkë dhe u them se dëshira e gjithë shqiptarëve është të jemi bashkë. Por kjo është politika. Unë jam krenar për Shqipërinë dhe i ndjek gjithmonë ndeshjet dhe sukseset e saj. Vendosa të përfaqësoj Kosovën sepse edhe Kosova ka nevojë për pak lojtarë të mirë (qesh).
Unë nuk e kisha pas problem të luaja për Shqipërinë. Me pas mundësi do të luaja për dyja, njëherë për Shqipërinë dhe njëherë për Kosovën.
Por mendoj se Kosova ka patur më shumë nevojë për lojtar, por normalisht kisha pas qejf të isha pjesë e kombëtares kuqezi. Tani nuk jemi bashkë, por shpresoj që një ditë të jemi një komb”, tha Zhegrova.