Mesfushori i Manchester City-t dhe Spanjës, Rodri, e fitoi “Topin e Artë” për herë të parë në ceremoninë e 28 tetorit.
28-vjeçari, i cili humbi vetëm një ndeshje sezonin e kaluar për klubin dhe kombëtaren, është lojtari i parë spanjoll që fiton këtë çmim që nga viti 1960 dhe lojtari i parë i Premier League që e fiton që nga Cristiano Ronaldo në vitin 2008.
Rodri, i cili ndihmoi Spanjën të fitojë Kampionatin Europian 2024 në korrik, u shpall fitues i çmimit në gala mbrëmjen që u mbajt në Paris.
Ai gjithashtu fitoi Premier League-n, Superkupën e UEFA-s dhe Kupën e Botës për Klube me Manchester City-n.
Rodri, lojtari i parë në historinë e klubit që fiton “Topin e Artë”, e rrëmbeu çmimin përpara sulmuesit të Real Madrid-it dhe Brazilit, Vinicius Jr.
Mesfushori i Real Madrid-it, Jude Bellingham, u rendit i treti – vendi më i lartë për një lojtar anglez që nga vendi i dytë i Frank Lampard në vitin 2005.
Skuadra spanjolle (Real Madrid) fitoi gjithashtu çmimin si klubi i vitit, ndërsa trajneri i tyre, Carlo Ancelotti, u shpall trajneri më i mirë i vitit.
Megjithatë, askush nga klubi nuk ishte i pranishëm për të marrë çmimet.
“Los Blancos” vendosën ta bojkotonin këtë cerermoni, pasi kuptuan se lojtari i tyre, Vinicius Junior nuk do ta fitonte “Topin e Artë”.
E triumfi i Rodrit para Vinicius Junior ngjalli polemika të mëdha dhe hapi debat publik se a iu bë e padrejtë sulmuesit brazilian.
Shumë lojtarë dhe ish-lojtarë të Real Madridit dhe jo vetëm shprehën mendimet e tyre se fituesi i vertetë do të duhej të kishte qenë ylli i madrilenëve.
Pjesë e listës së ngushtë për “Topin e Artë” ishte edhe Granit Xhaka, futbollisti i parë me prejardhje shqiptare që u nominua për çmimin më të madh individual për një lojtar.
Granit Xhaka u rendit si i 16-ti më i miri në botë, por nuk mori pjesë në këtë ceremoni.
Lamine Yamal u zgjodh futbollisti i ri më i mirë, kurse Emiliano Martinez fitoi çmimin e portierit më të mirë.
Në konkurrencën e vajzave, Topin e Artë e fitoi futbollistja e Barcelonës, Aitana Bonmati që pati një sezon të paharruar me katalonaset.