Lamine Jamal u dëmtua më 15 dhjetor në ndeshjen mes Barcelonës dhe Leganes në “Montjuiç”.
Sulmuesi pësoi një ndrydhje në kyçin e këmbës dhe nuk mundi të luante ndeshjen kundër Atletikos së Madridit dhe raporti mjekësor tregoi se periudha e tij e mungesës do të ishte nga tre deri në katër javë, gjë që e vuri në dyshim pjesëmarrjen e tij në Superkupën e Spanjës.
Por te klubi i Barçës tashmë është shtuar optimizmi se ai mund të marrë pjesë në këtë kompeticion dhe se do të jetë në dispozicion për ndeshjen e parë kundër Bilbaos që do të zhvillohet të mërkurën e 8 janarit në Arabinë Saudite.
Rikuperimi ka ecur shumë mirë deri tani pas punës së përditshme që futbollisti ka bërë që nga dëmtimi i tij.
Ai ka qenë surpriza e Barcelonës në stërvitjen e djeshme, teksa është shfaqur në fushë para tifozëve vetëm në fundin e saj duke ngjallur reagime nga ana e tyre. Përtej optimizmit, Barcelona dëshiron të tregohet e kujdesshme me futbollistin. Deri më tani gjithçka ka shkuar mirë, por kanë mbetur edhe pak ditë që ai të mund të stërvitet sërish me pjesën tjetër të bashkëlojtarëve me ngarkesë të plotë.