Ylli i Real Madridit dhe i Brazilit, Vinicius Junior është zgjedhur futbollisti më i mirë në botë nga FIFA.
24 vjeçari dhe klubi i tij e bojkotuan ceremoninë e Topit të Artë pasi aty çmimi kryesor iu dha Rodrit të Manchester Cityt.
Mirëpo, braziliani nuk mungoi në çmimet e FIFA-s, në ceremoninë që u mbajt në Doha të Katarit.
Vinicius e luajti një rol kyç tek Reali në triumfet në Ligën e Kampionëve dhe në La Liga në edicionin 2023-24.
Në atë periudhë ai i realizoi 24 gola dhe i bëri 11 asistime duke qenë mbret i “Los Blancos”.
Kjo ishte hera e parë që Vinicius e fiton këtë çmim, ndërsa u pa i lumtur me trofeun që e fitoi me plot meritë.
“Nuk e di as nga t’ia filloj. Isha vetëm një fëmijë që luaja futboll këmbëzbathur në rrugët e Sao Gonçalos, mes varfërisë dhe krimit. Të jem këtu është diçka mjaft e rëndësishme për mua. Po e bëj këtë për shumë fëmijë që mendojnë se gjithçka është e pamundur dhe që mendojnë se nuk mund të jenë këtu”, u shpreh Vini.
Topi i Artë dhe çmimi i FIFA-s janë dy më prestigjiozët në botën e futbollit.
Derisa Vinicius e fitoi për herë të parë atë, dy çmimet paraprake i kishte fituar Leo Messi, e dy më herët se argjentinasi i fitonte Robert Lewandowski.
Ky çmim u nda në bazë të paraqitjeve dhe të arriturave të lojtarëve me ekipe dhe kombëtare në periudhën gusht 2023 – gusht 2024.
Rodri i Manchester Cityt përfundoi i dyti, kurse Jude Bellingham i Realit e kompletoi podiumin.
FIFA ndërkohë i zbuloi edhe votat e trajnerëve të Kombëtareve, të kapitenëve dhe të gazetarëve sportivë.
Selektori i Kosovës, Franco Foda e votoi Rodrin si të parin, e më pas Viniciusin e Lamine Yamalin.
Kurse, kapiteni Amir Rrahmani e renditi të parin Viniciusin, për të vazhduar me Kylian Mbappen e Rodrin.
Gazetari Valon Konushevci votoi për të tetin vit me radhë për më të mirët e FIFA-s.
Producenti i emisionit “Favorit” votën kryesore ia dha fituesit Vinicius Junior, ndërsa të dytin e renditi Rodrin e të tretin Lamine Yamalin.
Konushevci votoi edhe për trajnerin e vitit dhe për portierin e vitit.
Sa i përket trajnerit më të mirë, ky epitet i takoi Carlo Ancelottit, i cili e udhëhoqi Real Madridin drejt suksesit në Ligën e Kampionëve dhe në La Liga në sezonin e kaluar.
Kurse, portieri i Aston Villës dhe i Argjentinës, Emiliano Martinez e fitoi çmimin e portierit më të mirë të vitit për herë të dytë në karrierë.
Ndërkohë, gjatë kësaj ceremonie, mesfushorja e Barcelonës, Aitana Bonmati u zgjodh futbollistja më e mirë e vitit për të dytin vit rresht.
Kurse, Emma Hayes u zgjodh trajnerja më e mirë e vitit pasi i udhëhoqi Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt medaljes së artë në Olimpiadën e Parisit, shkruan “Gazeta Express”.
Çmimin “Puskas” për golin më të bukur të vitit e fitoi Alejandro Garnacho i Manchester Unitedit për golin e tij spektakolar në stilin “gërshërë” në fitoren 3:0 ndaj Evertonit në muajin nëntor 2023.
Për herë të parë, tifozët e patën mundësinë ta zgjidhnin ekipin ideal të vitit të FIFA-s duke e ndërtuar formacionin ideal prej 11 lojtarësh nga 77 futbollistë të nominuar.